Lajmi Fundit
prev next

Fal dhe harro

Disa njerëz e kuptojnë planin shpengues të Perëndisë për jetën e tyre, e megjithatë ata nuk arrijnë të kuptojnë se si Ai mund t’i përdorë ata për punën e Mbretërisë së Tij. Porndihen sikur jeta e tyre është njollosur deri në thellësi nga mëkati, duke i skualifikuar nga shërbesa. Kjo nuk eshte e vërtetë.

Plani i Perëndisë për jetën tonë është një plan shprese. Ai kurrë nuk shikon pas dhe na kujton shkeljet tona të së kaluarës. Ai kurrë nuk thotë: “Sikur të mos kishit bërë këtë apo atë, atëherë unë mund të të përdorja”. Këto janë fjalë që armiku përdor për të na dekurajuar dhe për të na penguar të jemi gjithçka që mund të jemi për Zotin.

Qëllimi i Perëndisë për të na shpëtuar nuk ishte thjesht të na shpëtonte nga vdekja dhe mundimi i përjetshëm. Qëllimi i tij ishte të na shpëtonte në mënyrë që ne të mund të mësonim ta duam Atë në mënyrën që Ai na do ne. Pasi Ai i fal mëkatet tona, Ai i harron ato. Çfarë kujtese e lavdishme e dashurisë së pakushtëzuar të Perëndisë.

Megjithatë, ashtu si Pali, ne nuk u shpëtuam thjesht për të gëzuar dashurinë e Perëndisë. Ne u shpëtuam me një qëllim në mendje: t’u tregonim të tjerëve për hirin e Tij shpëtues. Kjo është ajo që bëri Pali. Pasi Krishti e shpëtoi, sapo Krishti ia ktheu shikimin tdhe sapo Krishti e përgatiti, Pali filloi të punonte seriozisht për Mbretërinë. Edhe ju mundeni të bëni të njëjtën gjë.

Ndoshta keni luftuar me ndonjë problem emocional dhe keni marrë çlirimin e Perëndisë. A nuk do ishit gati që Perëndia t’ju përdorë në jetën e dikujt tjetër? Ju mund të mendoni: “Askush nuk mëkaton ashtu si unë”. Ka shumë në fakt – dhe duhet të dinë se ka një rrugë për të dalë nga errësira në dritë  nëpërmjet Jezu Krishtit.

Lutje: Zot, është e vështirë të kuptosh se si mund të më përdorësh për lavdinë Tënde, por e di që kjo është pikërisht ajo që Ti dëshiron të bësh. E dorëzoj jetën time në Ty dhe të lutem  më përdor në mënyrë që të tjerët të përjetojnë hirin Tënd të mrekullueshëm. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

“Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.” (2 Korintasve 5:17).

Ballë për ballë me frikën!

A jeni bllokuar ndonjëherë nga frika? Kur frika jeton në ne dhe na ndikon vazhdimisht, fillojmë të humbasim jo vetëm gëzimin, por edhe efektivitetin në besim. Frika në ne, na vjedh potencialin tonë të dhënë nga Perëndia. Kjo na bën të heshtim në vend që të dëshmojmë për shpëtimin e Perëndisë. Frika na pengon të rimarrim vendet e punës, lagjet dhe shkollat ​​tona për Krishtin. Frika na pengon të japim bujarisht nga vetja veprën e Perëndisë. Frika na pengon t’u tregojmë kujtdo që njohim për atë që na shpëtoi përjetësisht.

Shpresa jonë e vetme kundër mposhtjes së frikës është besimi. Frika do të na mbajë në vend numëro, por besimi në Zot do të na ngrejë lart. Ne mund të gjejmë ngushëllim në fjalët e psalmistit: “Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit.” ( Psalmi 46:1-2).

Lexo Jozueun 6. Ndërsa Jozueu u përball me muret e fortifikuara të Jerikos, ai duhet të ketë pasur dyshimet e tij. Por në vend që t’i dorëzohej frikës, iu përgjigj me bindje të padiskutueshme ndaj planit të betejës së Perëndisë. Dhe kjo është ajo që ka të bëjë me besimin – bindja, prova e besimit.

Lutje: Atë, na ndihmo të mos biem në kurthin e frikës. Më ndihmo t’i përgjigjem situatave të frikshme me bindje të padiskutueshme, ndërsa kam besim tek Ti. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

“Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti” (Psalmi 56:3).

Çdo gjë është e mundur me Perëndinë!

Vizionarët janë njerëz që shohin pamjen e madhe dhe nuk kanë frikë nga ndryshimi. Nuk qëndrojnë në vend dhe as refuzojnë të dalin nga zonat e tyre të rehatisë.

Ata që kanë mentalitetin “tregomë” lëvizin vetëm nëse shohin prova se ndryshimi është i mirë. Ata e përqafojnë vizionin nëse shohin prova dhe të jetë në  drejtimin e duhur. Pastaj ka nga ata që refuzojnë të ndryshojnë ose të mos përshtaten fare.

Izraelitët arritën në skajin e tokës që Zoti u kishte premtuar pas një udhëtimi të gjatë nga Egjipti. Udhëtimi ishte një proçes mësimi i bindjes dhe besimit. Tani ata ishin gati të hynin në tokë.

“Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: “Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre”. (Numrat 13:1-2).

Misioni ishte i thjeshtë: “për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë;” (v. 18). Pas dyzet ditësh vëzhgimi, dymbëdhjetë burrat u kthyen dhe raportuan për begati të pabesueshme dhe tokë pjellore.

Megjithatë, dhjetë prej tyre dhanë një raport të keq për shkak të qyteteve të fortifikuara. Vetëm dy, Joshua dhe Kalebi, mendonin ndryshe. Ajo që na duket e pamundur është e mundur për Perëndinë—pa marrë parasysh sa e frikshme është. A bëni pjesë në kategorinë “tregomë”, si shumica e skautëve të Moisiut? Dëshironi prova të plota  përpara se të bëni ndonjë ndryshim? Është më mirë të jesh si Joshua dhe Kalebi—vizionarë që mund të shihnin se me Perëndinë në anën e tyre nuk mund të dështonin.

Lutje: Zot, më ndihmo të jetoj i sigurt në Ty. Të të ndjek edhe kur të vijnë sprovat, duke kujtuar se Ti je sovran dhe se më do. Të të sjellë lavdi besimi im tek Ti dhe besnikëria jote e pandryshueshme ndaj meje. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

“Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, “një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë”.(Numrat 14:8).

Të jetosh në armiqësi me Zotin!

Gjatë gjithë Biblës, nga Zanafilla te Zbulesa, Babilonia është një simbol për atë se çfarë do të thotë të jetosh në armiqësi me Perëndinë. Ky reputacion i dyshimtë lindi kur banorët e Babilonisë thanë:  “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell”. (Zanafilla 11:4).

Me anë të kësaj deklarate, filloi një kundërshtim i mirëorganizuar njerëzor ndaj Perëndisë. Nënkuptimi i metaforës së babilonasve, “arrijë deri në qiell”, nënkupton se maja e kullës së tyre do t’i kushtohej adhurimit të trupave qiellorë. Në Babiloni lindi astrologjia, besimi se yjet dhe planetët ndikojnë në punët dhe ngjarjet njerëzore në Tokë, dhe u përhap  në të gjithë botën.

Pas katërqind vitesh skllavëri në Egjipt, edhe hebrenjtë kishin filluar të praktikonin astrologjinë. Kur Zoti i nxori nga Egjipti, Ai i paralajmëroi që të mos adhuronin yjet (shih Ligji i Përtërirë 18:9-13). Në realitet, ata që shohin te yjet për çelësin e fatit të tyre, po adhurojnë Djallin dhe forcat e tij demonike.

Vini re metodat që djalli përdor. Pasi u flak nga parajsa, Satani i mashtroi Adamin dhe Evën që të dyshonin në Zotin dhe arriti t’i dëbonte nga Kopshti i Edenit. Pastaj Satani e mashtroi Kainin që të adhuronte në mënyrën e tij dhe jo në mënyrën e Zotit, gjë që çoi në vrasjen e Abelit dhe përfundimisht në shkatërrimin masiv të jetës nga përmbytja. Pastaj Satani i mashtroi pasardhësit e Hamit që të adhuronin zodiakun—në fakt adhurimin e demonëve—duke shkaktuar kështu shkatërrimin e tyre.

Satani gjithmonë mbjell mashtrim dhe konfuzion. Ai i bind njerëzit të marrin diçka të dhënë dhe ta kthejnë atë në një idhull. Kur njerëzit nuk adhurojnë Zotin, ata përqafojnë perëndi të rreme, me qëllim ose jo.

Lutje: Zot, ti na ke paralajmëruar të mos adhurojmë perëndi të rreme. Më ndihmo të shmang tundimin për të kërkuar dhe këshilla nga praktikat mashtruese të botës. Në vend të kësaj, ktheje zemrën time drejt së Vërtetës së Fjalës Tënde. Në emër të Jezusit lutem. Amen.

” sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t`u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë”. (Ligji i Përtërirë 4:19).

Mjerim i shndërruar në mision!

Lexoni Lukën 24:30-35. Kur arritën në destinacionin e tyre në qytetin Emaus, dy dishepujt ftuan mikun e tyre të ri të hynte brenda dhe të hante një vakt me ta. “Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre. Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.” (Luka 24:30- 31).

A e kuptuat? Kur e ftuan Jezusin brenda, gjithçka ndryshoi. E njëjta gjë është e vërtetë edhe sot. Kur ju e ftoni Jezusin e ringjallur në jetën tuaj si Shpëtimtarin dhe Zotin tuaj të vetëm, Ai nuk hyn thjesht dhe ulet; por merr kontroll. Kur u fut  në këtë shtëpi, Ai nuk qëndroi si mysafir; por si mikpritës. Vini re se ishte Jezusi ai që mori bukën, falënderoi dhe e theu. Kjo është puna e të zotit të shtëpisë. Po kështu, kur Ai vjen në jetën tuaj, Ai nuk vjen si mysafir. Ai vjen si Shpëtimtari dhe Zoti juaj. Ai ju transformon. Ai sjell gëzimin e Tij në rrethanat ku e keni humbur gëzimin. Ai sjell fitoren e Tij në jetën tuaj të humbur. Ai e sjell fuqinë e Tij në vendet ku ju ndiheni të pafuqishëm. Ai do t’ju çlirojë nga çdo gjë që ju pengon të jetoni në dritën e ringjalljes së Tij fitimtare dhe tuajën që do të vijë.

Pasi këta dy dishepuj njohën Jezusin e ringjallur, frika u largua dhe morën guxim, dhimbja u kthye në gëzim,dhe dëshpërimi në shpresë. Mjerimi i tyre u shndërrua në mision. Ata u ngritën, megjithëse ishte natë, dhe u nisën për në Jeruzalem. Edhe pse ishte një rrugë shumë e rrezikshme, nuk mund të ndaleshin. Kishin një mision të rëndësishëm për të bërë. Kishin  një lajm të mirë për të dhënë. Ata e dinin se duhet t’u tregonin të tjerëve se çfarë kishte ndodhur. Sepse e kishin parë Zotin e ringjallur me sytë e tyre. Kishin ecur me Të dhe kishin folur me Të, dhe Ai u kishte shërbyer zemrave të tyre.

Kur zbuloni shpresën e vërtetë në planet dhe premtimet e Perëndisë, pikëllimi juaj do të shndërrohet në shërbesë. Lutuni që jeta juaj, që tani derisa Ai t’ju thërrasë në shtëpi, të jetë një jetë me qëllim dhe gëzim – pavarësisht se çfarë sfidash mund të vijnë.

Lutje: Atë, faleminderit për dhuratën e Birit Tënd dhe thirrjen e jashtëzakonshme për të shkuar dhe për të shpallur shpëtimin e Tij për ecurinë e Mbretërisë Tënde. Faleminderit që më transformove dhe më ke dhënë besim e kurajo me dashamirësinë Tënde. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

“Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.” (Luka 24:33).

Surprizuar me qëllim!

Nga të tre gratë nga Marku 16, Maria Magdalena dhe Maria nëna e Jezusit janë më të njohura për shkak se janë të përmendura në Bibël. Në kontrast me to, Salomeja është një personazh pothuajse i panjohur. Por ne e dimë historinë e saj, sepse ajo është nëna e dy prej dishepujve të Jezusit, bijve të Zebedeut.

Lexoni Mateun 20:20-28. Salome i donte djemtë e saj shumë. Në mendjen e saj, djemtë do ishin udhëheqësit më të mëdhenj që Jezusi do të kishte ndonjëherë. Kështu ajo i tha: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde“. (v. 21). Ashtu si shumë hebrenj, Salomeja ndoshta mendoi se Jezusi kishte ardhur për të krijuar një mbretëri fizike në tokë.

Si të gjitha nënat e dashura, edhe Salomeja kishte shpresa dhe ëndrra të mëdha për djemtë e saj. Ajo besonte se nëse ata mbretëronin bashkë me Jezusin në tokë do të përmbushnin ëndërrat e tyre. Por të Premten e Madhe, ndërsa ajo qëndronte në këmbët e kryqit, ato ëndrra u shkatërruan. Ajo pa se si gjithë ambiciet për djemtë e saj po vdisnin bashkë me Jezusin.

Salomeja nuk i kishte kuptuar ende qëllimet e Perëndisë – misterin e fshehur prej shekujsh, por që tani po i zbulohej popullit të Zotit (shih Kolosianëve 1:26). Shpresa e saj ishte ende në planet e saj. Por plani i Perëndisë ishte jashtëzakonisht më i mrekullueshëm se ai i saj. Sepse në kryq, Jezusi po garantonte se jo vetëm djemtë e saj, por çdo bir dhe bijë besimtare do të mbretëronin me Të në përjetësi.

Në atë mëngjes të parë të Pashkëve, qëllimi i Perëndisë u përmbush. Plani i tij i mrekullueshëm u realizua në momentin kur Jezusi derdhi gjakun e Tij, vdiq në vendin tonë dhe u ringjall. Ai mori vdekjen, gjykimin  dhe  ferrin tonë dhe tani Ai shpengon të gjithë ata që besuan tek Ai. Këto janë pasuritë e lavdishme të misterit, vetë qëllimi i Perëndisë—Krishti i dhënë për ne, shpresa e lavdisë.

Perëndia na do më fort se sa ne mund ta imagjinonim  ndonjëherë. Ai na do me një dashuri të papërshkrueshme, të pashpjegueshme dhe të përjetshme,ndaj Ai zgjodhi të paguajë për mëkatet tona. Sipas qëllimit të Tij të madh, ne tani jemi drejtësuar në Krishtin dhe nuk jemi më  të dënuar nga mëkati ynë. Pra, kur jemi të mbingarkuar nga rrethanat ose kur gjërat nuk shkojnë sipas planeve tona, le t’i besojmë Perëndisë, planeve dhe qëllimeve të Tij,  të cilit janë gjithmonë më të mira se tonat.

Lutje: Zot, përmbush planin dhe qëllimin Tënd për jetën time. Faleminderit për dashuinë shpenguese. Transformoje jetën time  dhe, nëpërmjet meje, jetën e atyre përreth meje për lavdinë Tënde. Në emrin e  Jezusit lutem. Amen.

“Bëri të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij, që, kur të plotësoheshin kohërat, t`i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.” -Efesianëve 1:9-10.

Delja e humbur!

Tek Luka 15:1-7, Jezusi ndan shëmbëlltyrën e deleve të humbura për të na zbuluar më tej zemrën e Perëndisë. Në të ne shohim se dashuria e Perëndisë është aq e mëshirshme dhe personale, saqë Ai vëzhgon dhe ndjek qoftë edhe vetëm një dele të humbur.

Sa e mahnitshme është, që Perëndia ynë shqetësohet për ata që janë larguar nga tufa e Tij. Në shëmbëlltyrë, kur bariu gjen delen e tij tek Luka 15:5, “e merr mbi supe gjithë gaz” dhe e çon delen në shtëpi. Bariu nuk e ul kurrë delen, por e mban gjithë barrën mbi supet e tij të forta.

Po kështu, Krishti është gati të marrë përsipër të gjitha barrat tona, qofshin dobësitë fizike, thyerjet e zemrës apo shqetësimet tona. Ai ka shpatulla të forta për të mbajtur çdo barrë që ne jemi të gatshëm t’ia japim Atij. Barrat tuaja bëhen barrat eTij ndërsa ju pushoni në Të.

Krishti na ndjek, na shpëton, na mban dhe gëzohet për ne. Luka 15:6 thotë se bariu më pas ” i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.”

Kur ka qënë hera e fundit  që që e keni bërë dikë aq të sa ai person ka dashur t’ju bëjë një festë? Si ndihesh të dish se shpëtimi yt e gëzon aq shumë Perëndinë tonë të Plotfuqishëm?

Lutje: Zot, më ndihmo të kuptoj plotësisht se sa shumë më do. Më ndihmo të kujtoj se Ti je Bariu im dhe ke dhënë gjithçka, madje dhe jetën Tënde, për të më shpëtuar. Në emër të Jezusit lutem. Amin.

” dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur.” (Luka 15:6).

Të lirë nga mëkati!

Romakëve 14:13-23.- Edhe pse kemi liri në Krishtin, apostulli Pal është i shpejtë të shtojë se të krishterët e fortë kanë përgjegjësinë të sigurohen që liria e tyre të mos bëhet pengesë për  besimtarët e dobët. Pali e quan të bukur këtë lloj sjelljeje të përulur dhe vetëmohuese—shenja e besimtarit të pjekur.

Krishti na shpengoi nga skllavëria e natyrës sonë njerëzore për të mos jetuar si të duam, por  në çdo gjë të marrim në konsideratë atë që i sjell lavdi Krishtit.  Kjo na jep liri – lirinë për të mos mëkatuar. Nëse ndonjë nga veprimet tona bën që dikush tjetër të pengohet, atëherë nuk e bëjmë atë gjë. Në këtë mënyrë u shërbejmë motrave dhe vëllezërve tanë në Krishtin. Kjo është liria e vërtetë.

Qëllimi ynë është të imitojmë Jezusin, atë që na bashkon. Ai që, megjithëse ishte plotësisht Perëndi, hoqi dorë nga shkëlqimi, lavdia dhe liria e Tij për t’u bërë një shërbëtor i përulur dhe për të bërë vullnetin e Atit të Tij. Pra, kur tundoheni të thoni: “Jam lodhur duke i shërbyer familjes, kishës sime dhe fqinjit tim”, shikoni Jezusin. Të fokusohesh te Jezusi do të thotë që je i gatshëm të japësh jetën për mikun tënd. Do të thotë që je i gatshëm dhe i lirë të sakrifikosh rehatinë, preferencat dhe kënaqësitë e tua – sepse kjo është ajo që Ai bëri për ne.

Lutje: Zot, më trego dhe më hap syë të shikoj nëse bëhem pengesë për dikë tjetër. Më jep përulësi dhe liri që të sakrifikoj preferencat e mia për t’i ndërtuar dhe dashur më mire motrat dhe vëllezërit e mi. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

 

“Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait.”-Romakëve 14:13.

Vetëm prej Hirit

Përgjatë Dhiatës së Vjetër, Bibla flet për besnikërinë e Zotit ndaj popullit të Izraelit. Ishte gjithmonë besimi në Zot, jo thjesht të qenit hebre, ai që në fund shpëtoi këdo. Të pretendosh se të gjithë njerëzit hebrenj kishin besim te Zoti do të ishte si të pohosh se të gjithë ata që shkojnë në kishë sot janë të rilindur. Natyrisht, shpëtimi nuk varet as nga përkatësia jonë etnike dhe as nga pjesëmarrja në kishë. Marrëdhënia jonë me Perëndinë është çështje e zemrës.

Kur judenjtë i ngurtësuan zemrat e tyre dhe e hodhën poshtë Mesian, çfarë bëri Perëndia? Ai e përdori refuzimin e tyre për t’i sjellë johebrenjtë në shpëtim dhe për ta bërë popullin e Tij ziliqar, që ata të mund të ktheheshin tek Mesia i tyre (shih v. 11). Perëndia e përdori refuzimin e Jezusit nga Izraeli si një mjet hiri – jo vetëm për të mirën e tyre, por për të mirën e johebrenjve.

E shihni, Perëndia ynë i mahnitshëm është Perëndia i hirit. Si judenjtë ashtu edhe johebrenjtë mund të shpëtohen vetëm me mëshirën e Tij nëpërmjet sakrificës së Zotit Jezu Krisht. Shpëtimi bazohet vetëm në meritat e Jezu Krishtit dhe në sakrificën e Tij shlyese në kryq. Prandaj, asnjëri prej nesh nuk ka vend për t’u mburrur ose për t’u ndier superior ndaj tjetrit. Përveç Krishtit, të gjithë ne jemi mëkatarë që meritojmë ferrin.

Toka ndodhet  në këmbët e kryqit. Ky është Ungjilli. Ky është besimi i krishterë. Dera është e hapur për të gjithë ata që do të pendohen, pavarësisht se kush janë apo çfarë prejardhjeje mund të kenë. Asnjë mëkatar nuk është përtej aftësisë së Krishtit për t’a shpenguar. Ky është me të vërtetë një lajm i mirë.

Lutemi: Zot, ne të gjithë jemi krijesa që meritojmë zemërim, e megjithatë Ti tregon mëshirë—madje mëshirë të re çdo mëngjes. Faleminderit për hirin Tënd. Faleminderit që më bëre fëmijën tënd. Lutem në emër të Jezusit. Amin.

“Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.” (Romakëve 11:32).

Perëndia na do dhe pikë.

Të gjithë jemi të etur të përjetojmë dashurinë e vërtetë biblike. Përgjithësisht të gjithë mësuesit e Biblës na thonë se vetëm kur të mësojmë të duam veten do jemi në gjendje të hapim zemrat tona për të marrë dashurinë hyjnore. Por në fakt është e kundërta. Ne vijmë te Krishti kur kuptojmë se nuk jemi asgjë pa Perëndinë dhe se, edhe në gjendjen tonë mëkatare, Krishti vdiq për ne. Personi që e do veten shumë nuk mund ta gjejë Zotin sepse nuk sheh ndonjë nevojë për të.

Nuk mund t’a gjesh dashurinë e vërtetë  veçmas nga Perëndia dhe për ndjekësin e Krishtit, dashuria nuk është selektive. Kjo,për shkak se dashuria e Perëndisë rrjedh nga natyra e Tij. Ashtu siç Gjoni shkroi, “Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8). Karakteri i tij përcaktohet nga dashuria. Perëndia ka zgjedhur që para krijimit  se Ai do ta dojë krijimin e Tij.

Në asnjë moment Zoti nuk thotë: “Të dua sa herë që është e përshtatshme. Të dua kur je mirë. Të dua për sa kohë që premton se do të përpiqesh më shumë.” Dashuria e Perëndisë është e vazhdueshme, e pandryshueshme – nuk varet nga performanca jonë. Dashuria e tij është sakrifikuese, gjithmonë synon të nxjerrë anën tonë më të mirë.

Dashuria e Zotit nuk ndryshon kurrë. Ai na do edhe kur jemi rebelë dhe të pabindur, kur i kthejmë shpinën dhe refuzojmë t’ia kthejmë dashurinë. Ai na do dhe pikë. Ai na do sepse kjo është zgjedhja e Tij. Zoti eshte dashuri.

Jezusi tha në vargun më të famshëm të Dhiatës së Re: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Gjoni 3:16). Në këtë varg nuk tregohet se çfarë Ai përfiton  apo se si ne të jemi  të denjë për dashurinë e Perëndisë. I gjithë motivimi dhe shtysa janë nga ana e Zotit.

Vlerësimi ynë për dashurinë e Perëndisë do të rritet kur të kuptojmë se dashuria e Tij nuk është fallco apo e lirë. Kur Zoti i tha njerëzimit: “Të dua”, Ai hoqi dorë nga gjithçka që ishte më e çmuar për Të. Ai tregoi mrekullisht dashurinë e Tij duke paguar çmimin për mëkatin tonë dhe ai çmim ishte vdekja e Birit të Tij.

Merrni një moment dhe lëreni veten të pushtoni në dashurinë  e pakushtëzuar të Perëndisë. Lavdërojeni Atë që ju do edhe kur ishit armiq me Të.

Lutje: Zot, Ti je me të vërtetë dashuri. Faleminderit për priviligjen që na ke dhënë të të duam ty dhe të tjerët, sepse ti na ke dashur i pari (1 Gjonit 4:19). E di që dashuria jote nuk do të dështojë dhe shterojë kurrë. Faleminderit,  At i dashur, për gjithë dashurinë Tënde. Lutem në emër të Jezusit. Amen.

“[Ai] është Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,” (Ligji i Përtërirë 7:9).

 Page 2 of 6 « 1  2  3  4  5 » ...  Last »