Lajmi Fundit
prev next

Fali ata pasi të jenë varur

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot? Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje. ( Psalmi 130:3-4)

“Një njeri duhet t’i falë armiqtë e tij” ka thënë Sigmund Freud, “ por jo më parë se ata të jenë varur” . Çfarë mirësie!  Gjithkush që ndjek këtë sjellje, duhet të shpresojë që të mos ketë asnjëherë armiq, sepse ai që nuk mund të falë, djeg atë urë mbi të cilën ndonjë ditë më siguri do i duhet të ecë edhe vetë.

Disa gjëra janë të vështira, mbase të pamundura për t’u falur pa ndihmën e Perëndisë, por ndihma e Tij është e gatshme për ne. A  ke menduar ndonjëherë se cilat do të kishin qenë pasojat nëse Perëndia do të ishte sjellë  kështu me ne? Njësoj si Freud ne mendojmë, “ Unë nuk do ta fal asnjëherë këtë njeri, për të gjithë jetën!”  E kemi seriozisht atë që themi. Kjo është arsyeja se përse disa njerëz ndjejnë se Perëndia nuk mund t’i falë kurrë. Ata janë të bindur se Perëndia na trajton njësoj si ne trajtojmë njëri-tjetrin.

Si mendon? A e bën Ai këtë? A kishte të drejtë psalmisti kur shkroi “Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte?  Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje” ( Psalmi 130:3-4). A mund të falë Zoti gjithçka? A ka ndonjë mëkat për të cilin Ai mund të thotë, “ Unë nuk do të fal asnjëherë këtë”?

Për ta diskutuar këtë çështje, le të shohim të tre fjalët që merren me nivelet e ndryshme të keqbërjes.  Në Dhiatën e Vjetër, u përdorën fjalë të ndryshme për të përshkruar dështimin e njeriut. Fjala e parë, “ shkelje,” ishte një fjalë e cila kishte të bënte me qëllimin për të bërë keq.

Akti i keqbërjes zakonisht ishte i paramenduar. Një person kishte bërë diçka- ky mund të ishte një hajdut, një vrasës, një njeri që kishte kryer marrëdhënie seksuale me gruan e dikujt tjetër, e madje mund të ishte edhe dikush që kishte vjedhur  një frut në treg- fjala do të thoshte rebelim kundër autoritetit. Një refuzim për të qëndruar brenda kufijve të asaj çfarë është e drejtë.  Kjo është sjellja që ka mëkati. Është një reflektim i një keqbërje të paramenduar kur njeriu e di mirë atë që po bën.

Fjala e dytë, “padrejtësi,” i referohet vetë  aktit të mëkatit. Kuptimi kryesor i fjalës  sugjeron se diçka është spërdredhur, shtrembëruar apo se  nuk është e vërtetë. Kjo fjalë përshkruan diçka që ishte në kundërshtim me atë çfarë ishte e drejtë. Sjellje që janë të gabuara dalin në pah gjatë akteve të keqbërjes. Çdo padrejtësi, çdo vepër mëkati, nis me një mendim dhe ky mendim trupëzohet në një veprim të cilin personi përpiqet ta justifikojë.

Fjala e tretë, “mëkati,” është ajo fjalë që është përdorur në Dhiatën e Vjetër, e kjo fjalë kishte kuptimin “ të mos arrish të qëllosh në shenjë” njësoj si një shigjetë  e cila nuk  arrin destinacionin e saj. Kjo fjalë do të thoshte “ të devijoje nga rruga e duhur,”  njësoj siç ndodh me një person kur ai haset me një degëzim në rrugë. Ai heziton dhe është i pasigurt nëse do që ta  ndjekë këtë rrugë apo jo dhe më pas ecën në të.  Ky mund të jetë një gabim i pafajshëm, por nuk ka justifikim që ai zgjodhi të shkojë në rrugën e gabuar.

A e mbani mend se si Davidi, në një moment dobësie, ju dorëzua mishit? Vetëm sepse ishte mbret dhe shumë i fuqishëm, ai e justifikoi keqbërjen e tij dhe mori Bathshebën, ndërkohë që ajo ishte gruaja e një burri tjetër.  Davidi përdori këto tre fjalë për të përshkruar atë çfarë kishte bërë “ shkelje, padrejtësi dhe mëkat!

Ai pranoi hapur dhe sinqerisht se kishte dështuar moralisht, ndaj kërkoi dhe gjeti faljen e Perëndisë.

A ka ndonjë mëkat që Perëndia nuk do ta falë? Davidi ishte fajtor për një vrasje, për shkelje të kurorës, për abuzim me autoritetin që i ishte dhënë, e megjithatë Perëndia e fali.

Ashtu siç Davidi vetë tha, “Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë” ( Psalmi 86:5).  Faleminderit Perëndisë që Ai është më i dhembshur se ne për të falur.  Mendo mbi këtë.

E tashmja

Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot… Ligji i Përtërirë 11:26-28

Spenser Johson, ka doktoraturë në mjekësi,  ka studiuar në Kolegjin Royal të Kirurgëve, por ka korrur shumë më shumë sukses me anë të librave të tij të vegjël por të realizuar, siç janë, Menaxher për një minutë dhe Kush ma ka  lëvizur djathin? Ai ndihmon njerëzit që të mbajnë fokusin e duhur , diçka  që nuk është e thjeshtë në një botë të mbushur me shumë detyra dhe me më shumë përgjegjësi vit pas viti.

Në librin e tij të vogël, E tashmja, ai tregon për një histori të thjeshtë të një të moshuari dhe të një djali, që shoqërohen me njëri-tjetrin teksa djaloshi i afrohej moshës madhore. I moshuari flet për Të Tashmen- sikur të ishte dhuratë shumë e veçantë.  Por djaloshi nuk e kuptonte edhe aq mirë se çfarë ishte E tashmja. Pastaj, pas një periudhë kohe, ai zbuloi se E Tashmja, është një lloj dhurate. Të jetosh momentin e tanishëm do të thotë që të përfitosh tërësisht prej këtij momenti. Në fjalë të thjeshta, e tashmja është tani! E çfarë ka kaq mbresëlënëse këtu? Ti mund të thuash se kjo është diçka shumë e thjeshtë; por e vërteta është se pjesa më e madhe  e njerëzve nuk jetojnë në të tashmen. Ata bëjnë dy gabime të mëdha që i mbajnë larg suksesit. Gabimi i parë është se  jetojnë në të shkuarën, duke risjellë gjithçka në mendjen e tyre, duke menduar për gabimet që kanë bërë, mundësitë që kanë humbur, apo gjërat e mrekullueshme që bënin dikur.

Gabimi i dytë është se njerëzit e humbasin të tashmen duke qenë të fokusuar tek e ardhmja, e tek planet që kanë. Ata mendojnë gjithmonë për ditët e arta që do të vijnë. Për shembull një vajzë  mund të mendojë për kalorësin që do të vijë e do ta çlirojë nga angaria e punës si nëpunëse, në një zyrë të mbushur plot me tym duhani. Dikush tjetër mendon për gruan që do ta lerë pa frymë, për të cilën zemra do të kërcejë përpjetë nga gëzimi. Nesër. Harroje ditën e sotme, le të presim për ditën e madhe që do të na vijë.

A dëshiron që t’i evitosh këto dy gabime? Në këto momente që ngelen, ja si mund ta kapësh të sotshmen. Më së pari, merr një stilolaps dhe letër e shkruaj të gjitha gjërat më të rëndësishme me të cilat përballesh sot. Mos u shqetëso për javën tjetër, apo për muajin tjetër. Fokusohu vetëm në 24 orët që shtrihen përpara teje.

Tani vendos se cilat janë interesat dhe qëllimet e tua. Bëj një listë sipas prioritetit se çfarë është e rëndësishme sot. Nuk do të mund të bësh gjithçka. Nuk je Superhero. Ti nuk ecën mbi ujë dhe mund t’i bësh gjërat me radhë, ndaj të duhet të vendosësh. Mbaj mend, se në një rrugë të ngushtë, nuk mund të ecin njëkohësisht dy makina, njëra duhet të kalojë përpara. Rrugët janë shumë të ngushta, e po kështu është edhe koha që shtrëngon jetët tona.

Më në fund janë tre fjalë: Fokus, fokus, fokus. Përse e thënë tri herë? Sepse mund të shpërqendrohesh lehtësisht, të të ndërpresin, të mërzitesh, apo të harrosh. Fokusi të ndihmon të eliminosh sa më shumë shpërqendrime dhe ndërprerje që të jetë e mundur.

A të duket se të bësh shumë gjëra  njëkohësisht është  fantastike? Jo, është një e keqe që të mban larg gjërave që janë më të rëndësishme për ty. Është një shpërqendrim që të ndalon të kesh sukses në të tashmen dhe të shijosh atë çfarë po kalon tani.

Një mendim i fundit: Sot është e vetmja ditë që është e jotja! Dje ishte e kaluar, e nesërmja ende nuk ka ardhur. Sot është dita që është e mbushur me Perëndinë, me dashurinë e Tij për ty, me qëllimin e Tij për ty dhe me ndihmën e Tij.  Po, ka falje për ato gjëra që kanë ndodhur në të shkuarën nëse ti kërkon ndjesë. E ka shpresë për të nesërmen, por e vetmja ndarje me përjetësinë është koha midis lindjes së diellit të një dite, deri në lindjen e diellit të ditës tjetër. E sotshmja është e jotja. Kape atë!

Jo aq keq

Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet. Hebrenjtë 10:25

Një mik më shkruan. “ Ka kohë që në mendjen time vazhdon të vërtitet një ide, inkurajimi. “ Ai shpjegon më tej, “ Unë jam rritur në një nën kulturë Gjermane, ne lavdëronim njerëzit me fjalët: ‘Jo dhe aq keq!’ Ndaj, nuk më vjen natyrshëm të inkurajoj të tjerët.”

Ndoshta edhe për ty kjo mund të tingëllojë një histori e njohur. Është shumë më e thjeshtë që të vësh në pah gabimet dhe dështimet e të tjerëve,  se sa t’i forcosh ata me fjalë pozitive që u shërbejnë si inkurajim.

Unë buzëqesha teksa lexoja fjalët  e tij: “Jo keq!” Uau!  Kjo supozohet të të bëjë të ndihesh mirë. Nuk është, “shumë mirë!” apo “ punë e shkëlqyer,” por thjesht “jo keq.”

Përse është kaq e vështirë që të inkurajosh?  Miku im gjerman thekson se ne jemi viktima e ndoshta edhe të burgosur të kulturës sonë. Disa prej nesh janë rritur në vende ku prindërit nuk u kanë thënë kurrë fëmijëve “të dua,” e as nuk ua kanë treguar këtë me përqafime. Këta fëmijë edhe kur rriten  e kanë të vështirë të jenë të dashur.  Provoni t’u jepni një përqafim e ata do të ngrijnë në vend. Kështu pra, ajo që kemi vëzhguar dhe që kemi marrë kur kemi qenë fëmijë, duket se luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë. Është sikur brenda shpirtit njerëzor të gjendej një rezervuar i vogël lavdërimi , e nëse do të merrnim prej andej sasi të mëdha, do të mbaronim shumë shpejt, e për këtë arsye ne themi vetëm- “ jo aq keq!”

Ka një arsye tjetër, që ndoshta sociologët nuk e vënë re, por ata që studiojnë historinë dhe Biblën arrijnë ta dallojnë shpejt. Zakoni i inkurajimit është kundër natyrës sonë njerëzore, e cila është egoiste. Fakti është se burimi i inkurajimit që gjendet thellë në zemrat tona është një rezervuar i cili rifurnozohet vazhdimisht. Sa më shumë inkurajim që ju të shpërndani, aq me shumë Fryma e Shenjtë do të vendosë në zemrën tuaj.

Ebbe, miku im që është mësuar me fjalën “jo keq” , ka marrë vendimin që të inkurajojë të tjerët. Kur fëmijët e tij të bëjnë diçka të mirë, ata nuk do të dëgjojnë kurrë  frazën tipike gjermane “ jo keq”.

Pra, si e kultivojmë zakonin e inkurajimit? Të themi të vërtetën, mësimi i zakoneve të reja nuk është i thjeshtë. Si fillim unë do të sugjeroja që të gjesh rezervuarin e inkurajimit që gjendet thellë në zemrën tënde. Nuk e ke zbuluar kurrë më parë? Mirë, provoje. Filloje me gruan tënde, ( apo me bashkëshortin), me fëmijët e tu, e me anëtarët e tjerë të familjes tënde. Mos u trego i pa sinqertë , por thuaj diçka pozitive, inkurajuese që do të ngrerë të tjerët moralisht. Fillo dhe bëje këtë. Duke e praktikuar bëhet më e thjeshtë, apo jo?

Mirë, pasi e ke bërë këtë në familjen tënde, kërko që të inkurajosh njerëz me të cilët nuk ke ndonjë lidhje shumë të fortë. Këta mund të jenë njerëz  me të cilët  punon, njerëzit që takon dhe njerëz që ndoshta nuk sillen shumë mirë me ty.

Çfarë ndodh? Kur ti inkurajon të tjerët, ngre edhe veten tënde  moralisht, e rezervuari i inkurajimit brenda zemrës tënde fillon të burojë plotësisht.

Zoti u dha udhëzimeve të veçanta Izraelitëve, për të inkurajuar Jozueun, birin e Nunit, sepse ai do ta çonte kombin drejt Kanaanit.  Pali i udhëzoi Thesalonikasit me anë të fjalëve që kishte shkruar që ata  “të inkurajonin  njëri-tjetrin” e sërish “ inkurajoni dhe ndërtoni njëri-tjetrin” ( 1 Thesalonikasit 4:18, 5:11). Tek Hebrenjtë 3:13 na kërkohet që “ të inkurajojmë njëri-tjetrin çdo ditë. “ E vërteta është se ne kemi nevojë për inkurajim. Ka kaq shumë gjëra negative në këtë botë.

Nëse Perëndia na urdhëron që ta bëjmë këtë, është më mirë të nisim ta zhvillojmë këtë zakon. E ndërsa inkurajon të tjerët, do të vësh re se kjo është ngjitëse dhe se njerëzot do të mirëpresin kudo që të shkosh.

Depresioni

Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira. Psalmi 88:18

Ditët e errëta të Dhjetorit mund të jenë një katalizator për të nxjerrë në sipërfaqe të gjitha mendimet negative që kanë zier në ibrikun e lodhjes fizike dhe dëshpërimit. Nuk mund të mos mendoj për tre  personat që  kam takuar dhe që janë sfiduar me demonin e depresionit në të njëjtën  kohë.

Njëri prej tyre, ka qenë një muzikant i respektuar dhe lider i Krishterë, kompozitori i disa himneve dhe këngëve, ai ka pasur një numër shfaqjesh teatrale të realizuara që mund të krahasoheshin me vitet e jetës së tij dhe ky njeri përfundoi duke e izoluar veten e tij në zyrën e një kishe përgjatë Krishtlindjes, ai i dha fund jetës së tij me një plumb në kokë.  

Në të njëjtën kohë një kirurg zemre e  pediatër shumë i njohur, një ndër më të mirët në botë, duke mos mundur që të dalë prej depresionit, vrau veten. Ky doktor  me një talent brilant, kishte kryer 830 operime mbi fëmijët në 18 muaj, me një përqindje mortaliteti prej vetëm 2 %. Ai ka qenë pjesë e dokumentarëve televizivë dhe admirohej prej pacientëve të tij. Ai ishte 45 vjeç.

Personi i tretë i kësaj trilogjie të errët  është një mikesha  ime e vjetër, gjithashtu doktoreshë, një kardiologe që ka shpenzuar jetën e saj,duke ndihmuar njerëzit bashkë me bashkëshortin e saj, i cili është kirurg. Të dy kanë shërbyer si mjek misionarë.

Personi i tretë që përmenda është duke u rikuperuar, por depresioni për dy të parët rezultoi fatal. Sa herë që bota,( për të mos folur pastaj për familjen dhe miqtë e afërt,) përballet me mungesën e prezencës të individëve kaq të mrekullueshëm, ndihet një humbje kolektive. Ne nxjerrim ligje për të mbrojtur njerëzit. Ne monitorojmë ujin që pimë, ushqimin tonë dhe kufijtë e shtetit tonë për t’u siguruar, por as ligjet e as kufijtë, nuk mund të na shpëtojnë nga demoni i errët i depresionit.

Njerëz të moshuar, shëndeti i të cilëve ka degraduar dhe që kanë shumë pak pritshmëri për të ardhmen, janë ata që vuajnë më shumë nga depresioni.  E megjithatë sot duket se nuk vuajnë vetëm të moshuarit , por edhe ata që janë në moshën e mesme, e që kanë fituar sukses dhe  janë të rëndësishëm për shoqërinë.

Përse ndodh kjo? E çfarë mund të bëhet për ta parandaluar? Askush nuk mund të përgjigjet për këtë në vetëm dy minuta. Depresioni është kompleks. Nuk vjen sepse nuk je mjaftueshëm një person frymëror, apo sepse nuk  arrin të kuptosh qëllimin e Perëndisë dhe planin e Tij për jetën tënde. Të Krishterët mund të vuajnë nga depresioni, po ashtu siç vuajnë edhe jo-besimtarët, edhe pse kam besim se ka mjaftueshëm burime për një besimtar për ta ndihmuar atë që të mbijetojë, në një moment kur të gjithë të tjerët do të ishin dorëzuar.

Çdo njeri është një përbërje emocionale, fizike dhe frymërore.  Ka raste kur depresioni vjen si shkak i mungesës së balancave kimike në tru-  për këtë një person nuk është më shumë përgjegjës se sa do të ishte në rastin kur do t’i duhej të vendoste syze, apo të kryente një operacion sepse një nga valvulet e zemrës nuk po punon siç duhet.

Por depresioni ndikon  mënyrën tënde të menduarit, ti nis të vesh në dyshim nëse ajo që ke ditur deri më tani është e vërtetë apo jo, nis të shohësh errësirën në vend të dritës, e të jetosh duke pasur gjithmonë një humor të keq, që të shtyp të gjitha ndjesitë pozitive.

T’i thuash dikujt “ dil prej kësaj gjëje” është po aq pa kuptim, sa t’i thuash dikujt që po mbytet të notojë. Po mendoj për gruan që hapi zemrën e saj dhe me lotët që i rridhnin faqeve tha” Zoti e di se sa shumë dua të dal prej kësaj gjendje, sikur vetëm të dija se si mund ta bëj këtë!”

Të jesh pranë një individi që është duke u përballur me depresionin dhe ta rrethosh atë me mirëkuptim, me dhembshuri dhe me fuqi, është një fillim që e ndihmon atë të ndërtojë lidhje me botën jashtë dhe të rikuperojë shëndetin fizik dhe të ketë një mendje të shëndoshë.

Të injorosh ata që janë të lënduar, apo të tallesh me problemin, veçse do ta bëj me keq personin që ke pranë. Perëndia nuk është indiferent ndaj atyre që vuajnë, pavarësisht nëse ky njeri që vuan është një kirurg i shkëlqyer, një mësues i talentuar apo një intelektual, një gjysh me flokë të zbardhur që ka punuar në një punë të qëndrueshme për shumë vite, shëndeti i të cilit ka rënë dhe ekuilibri mendor i të cilit është goditur.

Patjetër që ka ndihmë dhe ka shpresë për ata që po kalojnë depresionin. Edhe pse rruga për t’u kthyer mund të jetë e dhimbshme dhe e gjatë, ka patjetër një mënyrë për të dalë prej errësirës.

Dhembja, mirëqenia dhe pushteti

Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete. (1 e Timoteut 6:7)

Dhembja, mirëqenia dhe pushteti kanë shumë të përbashkëta. Ato i ngjajnë katalizatorit në një laborator i cili precipiton ndryshimet  kimike në një substancë të dhënë. Këto tre faktorë, arrijnë të ndryshojnë personat që përballen me to. Në një lloj mënyre, janë njësoj si larguesit e njollave të shpirtit,  nxjerrin në pah karakterin e vërtetë të një personi.

Dhembja, ka qenë me ne që në ditën kur Kaini goditi dhe vrau vëllanë e tij, por dhembja fizike u ndoq nga dhembja emocionale, kur prindërit tanë të parë, panë jetët e tyre të përmbysura, duke e ditur se kishin humbur një djalë, edhe që djali që kishte mbetur ishte një vrasës.

C.S. Luis, një apologjist i Krishterë, e mendonte dhembjen si megafonin e Zotit- dhembja të tërheq vëmendjen si pak gjëra të tjera në gjithë jetën. Disa mendojnë se mungesa e dhembjes është dhuratë dhe hir nga Perëndia; të tjerët e përjetojnë hirin e vërtetë të Perëndisë në kohë dhembjesh  të forta dhe në mënyra që ata kurrë nuk do t’i kishin menduar.

Arsyeja se përse disa vuajnë dhe përse disa të tjerë jo, nuk ka të bëjë me të qenit në mëkat, apo të qenit i drejtë. Edhe pse për të thënë të vërtetën, zgjedhjet e këqija, duke përfshirë këtu, veprime rebelimi kundër Zotit dhe vullnetit të Tij për ne, prodhojnë vuajtje dhe dhembje.

Pali, i thirri Zotit në tre raste të ndryshme, duke i kërkuar atij që të shëronte trupin e tij. Në vend të shërimit ai gjeti hirin e Perëndisë, e mësoi se në dobësinë e tij njerëzore gjendej fuqia e madhe e Zotit.

Varfëria dhe mirëqenia nuk  janë as shpërblim e as mallkim, por të dyja arrijnë që t’i ndryshojnë njerëzit. Njëra na çon në vështirësi për të mbijetuar, tjetra vendos përpara nesh mundësinë për të pasur gjërat që sytë na shohin.

E megjithatë, të dyja, shërbejnë si katalizator që na ndryshojnë, qoftë për mirë apo për keq.  Psalmisti thotë “ Nė rast se pasuritė janė tė bollshme, mos u kushtoni zemrėn” ( Psalmi 62:10)  Përse? Sepse paratë janë mëkat? Jo, edhe pse është gati e pamundur që të jesh i ndershëm dhe njëkohësisht shumë i suksesshëm. Pasuria mund të largojë zemrën tënde prej gjërave të rëndësishme, duke harruar që nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë dhe nuk do të marrim asgjë prej saj.

Ka një tjetër katalizator në jetë dhe ky është pushteti, i cili vjen përmes suksesit apo  rëndësisë. Ky është një katalizator i çuditshëm, sepse ka njerëz që nuk ndikohen prej rëndësisë që kanë. Ata janë vazhdimisht të zënë dhe kanë shumë përgjegjësi, por  nuk ndikohen prej asaj që kanë bërë. Ata vazhdojnë akoma rutinën e tyre, siç kanë bërë përpara se të ishin të pasur, të famshëm, të pushtetshëm.

Disa të tjerë, të fryrë prej arritjeve , kërkojnë që  të shkëlqejnë më shumë, e kanë ndarë veten e tyre nga pjesa tjetër e botës, dhe ndihen pjesë e një niveli që është rezervuar vetëm për pak persona.

Ku qëndron diferenca në të gjithë këtë? Jo në atë çfarë sheh së jashtmi, as në mënyrën sesi vepron, se çfarë vesh apo se në cilin restoranti ha- mund të jetë një restorant krejt i thjeshtë buzë rrugës, ose restoranti më i mirë i qytetit. Ndryshimi qëndron në atë çfarë gjendet brenda teje- në integritetin tënd, në të qenit i vërtetë.

Është e nevojshme të kuptojmë se nuk jemi gjë tjetër veçse pluhur dhe se një ditë do të lemë gjithçka që kemi grumbulluar këtu. Pali i rikujton Timoteut: Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete” ( 1 e Timoteut 6:7)

Jo më kot, Pali na udhëzoi që të mblidhnim thesaret tona, atje ku vjedhësit nuk mund t’i marrin, ku nuk do t’u humbë kurrë vlera, e ku do të marrësh pikërisht atë që meriton. Mendo për këtë.

Drita /Errësira

Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës. ( Gjoni 8:12)

Sekondë pas sekonde, kanë kaluar 2000 vite që prej kohës kur Jezus Krishti ecte në brigjet e Galilesë antike. Shumë pak, pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, një apostull i mbushur me besim shkroi, “Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.” ( Gjoni 1:5).  Gjoni, pa dyshim donte të thoshte se Krishti erdhi si dritë në një botë të errët, e me ardhjen e Tij, njeriu pati një qëllim të ri për të jetuar, një shpresë të re për të ndriçuar ditën.  2000 vjet më vonë, duhet akoma më shumë besim të mendosh se errësira me të vërtetë po kalon.

Shumë njerëz besojnë se errësira morale dhe zymtësia frymore me të cilën po përballen njerëzit sot, është shumë më e madhe se në çdo periudhë tjetër në histori.  Sot njerëzit kanë në zotërim armët më të fuqishme që ka parë ndonjëherë bota. Ka mjaftueshëm bomba hidrogjeni në të gjithë cepat, për të hedhur në kaos për disa herë me radhë  të gjithë botën.

Situata sot i ngjason asaj të një njeriu që gjendet i dëshpëruar brenda një grope të thellë prej 30 metrash. Duket se e vetmja rrugë që ai  të dalë prej andej, gjendet akoma më thellë.  300 vjet  më parë Davidi thirri , “Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën” ( Psalmi 121:2) Në mes të një bote të errët, të duket se është e vështirë të ndihesh i sigurt.

Si i përgjigjesh errësirës që ke rrotull? A vazhdon e mallkon atë dhe dëshiron që të mos jetë aty? Apo ndez një qiri (qoftë një të vogël) dhe e lufton atë? A i ke harruar fjalët e Jezusit për ata që e ndjekin atë? Ai tha, “ Ju jeni drita e botës…”

Ndërkohë që ne ecim përmes një bote të errët, qëllimi dhe funksioni i jetës sonë duhet të jetë njësoj si ai i ndriçuesve të rrugës që bëjnë dritë. Një djalë i vogël  që gjendej në spital, pa një burrë të vjetër që ndizte fenerët e rrugës njëri pas tjetrit. E teksa e vëzhgonte me kujdes ai i tha infermieres që ishte pranë tij “ Shiko atje! Aty është një burrë që po tejshpon errësirën!” Si mund të thuhet më mirë se kaq?

Një njeri që ulet dhe mallkon errësirën, vetëm sa i shton mjerimin vetes së tij.  Duhet bërë diçka, nuk ka rëndësi se e sa parëndësishme mund të jetë, për ta luftuar pas errësirën. Detyra jote është ta tejshposh errësirën. Je në një situatë tejet të zymtë? Ajo që duhet të bësh është të plotësosh paralajmërimin e apostullit Pal. Ai u  shkroi këto fjalë Filipianëve, fjalë që janë një udhëheqje e jashtëzakonshme  për jetën “qė tė jeni tė paqortueshėm dhe tė pastėr, bij tė Perėndisė pa tė meta nė mes tė njė brezi tė padrejtė dhe tė çoroditur, nė mes tė tė cilit ju ndriçoni si pishtarė nė botė…”

Ti mund të jesh njësoj si një njeri që ishte i verbër. Për çdo ditë ai shkonte në një njëjtin cep dhe ulej për të lypur.  Ndërsa dielli niste të perëndonte  në qiell, ai merrte një fanar dhe e ndezte atë, duke e rregulluar sa më shumë të ishte e mundur flakën e tij. Njerëzit pyesnin: “Përse mund t’i duhet një njeriu të verbër një fanar? Përse i nevojitet drita atij kur perëndon dielli?  A nuk është njësoj si errësira dhe drita për këtë njeri? Ai vetë e kishte pranuar se nuk mund të tregonte ndryshimin midis dritës dhe errësirës. Atëherë përse e ndezte fenerin?

Burri u përgjigj, “ është e thjeshtë. Unë e ndez fenerin që njerëzit të mos përplasen me mua.” Jezusi tha, “ Ju jeni drita e botës…”  Një dritë në errësirën e kësaj bote është përgjigja për kaosin frymëror  me të cilin ne përballemi sot. Kush e di? Drita jote mund të pengojë dikë që të mos të të shkelë.

 

Rruga e Besimit

Pastaj u tha të gjithëve: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” Luka 9:23

Një burrë më tha njëherë “ patjetër që jam i Krishterë” duke shtuar pas kësaj, “ unë nuk jam as Hebre e as Mysliman-çfarë mund të jem tjetër?” A e ke vënë re se Jezusi ka qëndruar në heshtje për shumë nga gjërat që ne sot i lidhim me Krishterimin? Për shembull, Ai kurrë nuk ka inkurajuar dikë që t’i bashkohet një kishe,  apo që të shkojë në një kishë apo një sinagogë. Ai kurrë nuk sugjeroi se sa më shumë që të jepnim, aq më të hapura do të ishin për ne dyert e parajsës, që do të na çonin tek Perëndia në fund të jetës sonë. E megjithatë ai foli qartë dhe drejtpërdrejtë mbi diçka- për të cilën në fillim mund të mendosh se ka pasur për qëllim të mbajë larg njerëzit nga radhët e besnikëve. Apo se e ka thënë këtë, për të qartësuar, e për të mos krijuar keqkuptime mbi atë se çfarë Ai kërkon-diçka që në kulturën e sotme individualiste neglizhohet.

Në një rast  Jezusi i tha ndjekësve të tij se nëse dashuria e tyre për Të, nuk ishte aq e madhe sa t’i bënte marrëdhëniet e zakonshme njerëzore të dashurisë- si për shembull dashuria që ke për prindërit, gruan e fëmijët- të duken si asgjë përpara Tij, nuk mund të ishe nxënësi i Tij ( Luka 14:25-35). Në një tjetër rast, fjalët e Tij duhet t’i kenë shokuar ndjekësit e tij ndërsa thoshte, “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” ( Luka 9:23), Jezusi përmendi tri hapa: Së pari- Moho veten tënde. Pastaj merr kryqin tënd; e fillo ta ndjekësh atë.

Patjetër që e gjithë kjo, është kundër natyrës sonë. Ne po jetojmë në një kulturë e cila na orienton drejt fokusit tek vetja.  Shikoji reklamat në gazetën tënde lokale. Shiko publicitetin që bëhet në televizion,  Billboardet me të cilat përballesh teksa i jep makinës nëpër qytet, mesazhet që japin artikujt e ndryshëm që lexon nëpër revista.  Ato thonë se ti je qendra e universit. Ti e meriton të të shërbehet. Të mohosh veten tënde, shkon përtej idesë që thjesht mund të shkosh të mbyllesh në një manastir.  Të mohosh veten tënde do të thotë të vendosësh Jezusin në plan të parë në jetën  tënde. Do të thotë që ti nuk je më në kontroll të fatit tënd.

Ashtu siç thotë A.W. Tozer: “ Njeriu që mban kryqin nuk është më në kontroll të fatit të tij; ai e ka humbur kontrollin kur e mori kryqin. Ky kryq është bërë menjëherë për të me rëndësi primare, një ndikim shumë i fortë. Nuk ka rëndësi ajo që ai dëshiron të bëjë, ai mund të bëjë vetëm diçka: të ecë përpara për në vendin e kryqëzimit.”

Krishterimi pa kryq, shmang shenjën që është lidhur me të. Kryqi është thelbi i Krishterimit, pa vdekjen e Jezusit në kryq  gjithçka do të ishte e kotë, prandaj të ndjekurit e Krishtit është pjesa më e rëndësishme, si pasojë e kësaj ti kupton se Ai është në kontroll të gjithçkaje.

Për ta mbyllur. Të kuptosh qëllimin e Perëndisë për jetën tënde është ekzaltuese dhe të ngacmon kuriozitetin.  Miliona njerëz reflektojnë në sytë e tyre dëshirën për të ditur, e është e sigurt se Zoti e ka një qëllim për jetën tënde. Qendra e gjithë kësaj gjendet tek bindja. Gjithçka që ndodh është për Zotin, e jo për ty, e kur jo e vërtetë kuptohet  bindja vjen si pasojë e kjo do të thotë se do të jetosh vullnetin e Zotit në jetën tënde, diçka që është konkrete dhe specifike.  Të ecësh në gjurmët e Jezus Krishtit është të kalosh nëpër rrugën e bindjes ndaj vullnetit të Atit, e kjo ëhstë pikërisht çka do të thotë të jetosh jetën e Krishterë.

Ky është një  udhëtim, e jo një pikë mbërritje,  nuk është një eksperiencë, nuk është një takim që ndodh vetëm një herë, por është një udhëtim ditë pas dite, ku ti zgjohesh çdo mëngjes e thua, “ Perëndi, jam nën urdhrat e Tua. Atje ku ti të më drejtosh sot, unë do të shkoj. Qëndro pranë meje. Dua të dëgjoj zërin tënd e të ndjej praninë tënde. Është një botë e errët aty jshtë. Bëhu jeta ime.  Le të shkojmë, jam gati për të të ndjekur.

Të ecësh në besim!

Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?Mateu14:31

Evangjelisti anglez George Whitefield, njëherë pyeti një minator qymyrguri që punonte në një minierë në Cornwall në Angli, se çfarë besonte. Minatori u përgjigj “Oh,unë besoj në atë çfarë beson edhe kisha ime.” Atëherë Whitefield pyeti, “ E në çfarë beson kisha jote?”  Ai u përgjigj “Epo,kisha ime beson në atë që besoj edhe unë.” Pak i frustruar George pyeti për herë të tretë, “Ku besoni, ti dhe kisha jote?” “ Ne besojmë në të njëjtën  gjë,” u përgjigj burri. ( Marrë nga George Sweetin në rubrikën Kush e Tha Këtë?( Chicago: Moody Press, 1995), fq.188)

Mirë. Nëse ti nuk e di se ku je duke shkuar, si mund ta kuptosh momentin që ke mbërritur në destinacion? A.W. Tozer insiston se besimi është një udhëtim- jo një pikë mbërritje. Për disa , të vërtetat frymore marrin formë shumë shpejt. Ata e shohin veten e tyre ashtu siç janë- në nevojë për Zotin dhe të humbur pa të; e premtimi i Jezu Krishtit, i cili tha ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” ( Gjoni 14:6) bëhet për ta një rrugë drejt sigurisë së jetës- një  urë që ata e kalojnë menjëherë. Por për shumë të tjerë ky udhëtim nga dëshpërimi drejt besimit, nuk është kaq e thjeshtë.

Në të vërtetë  Jezusi mësoi se kishte një çmim për t’u paguar që vinte bashkë me besimin, e dikush që nuk është i gatshëm për ta marrë parasysh këtë  kosto, është më mirë që mos t’i bashkohet ushtrisë së pelegrinëve që ecin me anë të besimit, e jo më anë të sigurisë tek ato që shohin.  Luka na ka shkruar mbi mënyrën sesi Jezusi tregoi historinë një burri që dëshironte të ndërtonte një kullë. Ai pyeti : Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t`i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: “Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë”.  ( Luka 14:28-30)

Në atë kohë, shumë turma ishin duke e ndjekur Jezusin, e duke përqafuar mësimet e Tij, ata po bërtisnin nga mahnitja prej  bukës dhe peshkut që Ai kishte siguruar.

Ai i mësoi, se ka një kosto për ata që e ndjekin. A po i dekurajonte Jezusi njerëzit që ata mos ta ndiqnin më? Apo ai ishte duke thënë, “ Shihni, kjo është ajo çfarë kërkoj prej jush, e nëse ju nuk jeni gati që të merrni kryqin tuaj e të më ndiqni, mos flisni më kot e të mendoni se keni bërë paqe me Perëndinë.”

Në rregull, thoni ju, a është kjo e vërtetë edhe sot? Për shumë njerëz sot ky është një çmim që lidhet me besimin në Zot.  Të bëhesh i Krishterë është si të firmosësh dënimin tënd me vdekje. Në rastet e  tjera jeta jote nuk është në rrezik, por për shembull,  rritja jote në detyrë në kompaninë ku punon kërcënohet. Ti nuk je i sigurt nëse shefat e korporatës do  të vlerësonin dikë që nuk mund t’u bindet rregullave.

Libri i Zanafillës na tregon ne për natën kur Jakobi po përleshej me Zotin dhe po bërtiste “ Nuk do të lë të shkosh deri sa të më japësh bekimin tënd.”  Atë natë Perëndia e preku atë dhe i ndryshoi emrin.

Mbi një pemë që gjendet në  Qendrën e Konferencave të Krishtera Forest Home, ka një mbishkrim prej metali që tregon se në këtë vend,  një djalë i ri, i njohur prej miqve të tij si Billy Franklin i dha fund  dyshimeve të tij dhe bëri një përkushtim për të ndjekur Jezus Krishtin, pa u rezervuar.  Me shumë mundësi që ju këtë njeri e njihni me emrin Billy Graham.

Për ta mbyllur, dua të ndaj me ju një mendim të fundit mbi këtë çështje. Perëndia është i durueshëm, nuk dëshiron që askush të humbasë, por Ai do që të gjithë të vijnë në jetë.  Është në rregull që të kërkoni për të vërtetën, për të kuptuar se cilat janë kushtet dhe kriteret mbi të cilat ti i dorëzon veten tënde mëshirës së Perëndisë, por sapo bindesh  plotësisht për të vërtetën, e je plotësisht i bindur se Jezusi vdiq për mëkatet e tua, e se Ai u varros dhe u ngrit sërish të tretën ditë, dhe ende refuzon që të nisësh udhëtimin e besimit, ti kthehesh sërish në errësirë  në vend që të ecësh pas dritës. E ky, miku im është një rrezik që nuk ofron as shpresë e as ndihmë.  Besimi nuk është të ecësh humbazi nëpër errësirë, por të ecësh drejt dritës.

Udhëtimi i besimit!

Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen. Hebrenjtë 11:1

Shumë pak fjalë në gjuhën angleze, kanë kaq shumë kuptime të ndryshme sa ç’ka fjala besim. Ne flasim për të pasur besim tek Perëndia dhe tek njerëzit, e të ecurit në besim- që do të thotë të vendosësh në praktikë atë që ti ke besuar. Ne gjithashtu e mendojmë besimin si një virtyt. Disa të tjerë e mendojnë besimin si një urë mendore që të çon drejt njohjes së një substance të panjohur, një personi apo një mase të caktuar. Në disa raste ata mendojnë se është si të shpresosh në diçka që nuk është atje, apo që nuk mund të duket, por që ti dëshiron dhe shpreson që të jetë aty- sikur të kapërcesh një humnerë me shpresën se dikush do të gjendet në krahun tjetër për të të kapur përpara se të biesh.

Disa thonë “ Mos më fol mua për besimin,” duke shtuar pas kësaj, “ Fol me mua vetëm për gjëra të vërteta- gjëra që unë mund t’i shoh dhe ndjej.  E megjithatë, kjo është pikërisht ajo çfarë Bibla thotë mbi besimin. Duke e kuptuar se të besosh në diçka që nuk e sheh është sfiduese për intelektin dhe eksperiencën tënde, shkruesi i Shkrimit thotë këtë: Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen. (Hebrenjtë 11:1).  Ka dy fjalë kyçe që na ndihmon të kuptojmë këtë përkufizim. Fjala e parë, e përkthyer siguria ( mbaj mend “besimi është siguria e gjërave që shpresohen”)  ishte e njëjta fjalë që përdorej në ditët e perandorisë Romake për të përfaqësuar titullin e një pjese pronësie. Supozo se ti dëshiroje që të merrje një pjesë toke në qytetin e Athinës, por jetoje në Romë. Ti paguaje paratë për këtë pronë dhe në këmbim merrje një kontratë- të firmosur dhe vulosur. Kjo pronë ishte e jotja.

Fjala e dytë, e përkthyer “tregim”, do të thotë se është një provë për atë çfarë ke shpresuar.  Në rregull, mund të thuash, por kur vjen puna për të besuar tek dikush apo në diçka që unë nuk e kam parë më përpara, unë e kam të vështirë të ndjej që kjo është e vërtetë.

  1. S. Lewis ka shkruar “ Besimi mbahet tek gjërat që arsyeja jote i ka pranuar njëherë, pavarësisht gjendjes tënde emocionale të ndryshueshme… Ky rebelim i emocioneve të tua ndaj vetes sate të vërtetë ka për të ardhur, e kjo është arsyeja se përse besimi është një virtyt i nevojshëm; deri në momentin që të disiplinosh gjendjet e tua emocionale dhe të jesh në gjendje t’i largosh ato, ti nuk do të mund të jesh një i Krishterë që shkëlqen dritën tënde, por do të jesh një krijesë me dy mendje, që do të lëkundet  sa këtej andej në erë, në varësi të motit që bën. Rrjedhimisht, njeriu duhet të trajnojë veten me zakonin e besimit.

Në rregull, për ty është problem që t’i dorëzosh jetën dhe të ardhmen tënde diçkaje- e thënë më mirë- dikujt që nuk e ke parë asnjëherë, kështu? Atëherë bëji vetes këto pyetje:

  • A besoj unë se ka një Zot që ka treguar fuqinë e Tij, duke krijuar këtë botë?
  • A besoj unë se Perëndia është një Perëndi i mirë, e se Ai nuk po përpiqet që të na bëjë të besojmë në diçka që është e pavërtetë?
  • A besoj unë se Zotit i duhet zënë besë, se Ai nuk do të na gënjente e as të përpiqej të na mashtronte?
  • A besoj unë se prova e dashurisë së Tij ishte fakti i pamohueshëm se Ai dërgoi Birin e Tij në Tokë kohë më parë?
  • A mund të pranoj unë atë që Pali shkroi, “ Perëndia e tregoi dashurinë e Tij ndaj nesh, në atë që kur ne ishim ende në mëkat Krishti vdiq për ne?”

Një mendim i fundit. Ashtu siç e ka thënë edhe A.W. Tozer , “ Në librin e veprave, besimi ishte për secilin besimtar një fillim, e jo një fund; ishte një udhëtim, e jo një shtrat për të qëndruar duke pritur ditën e triumfit të Zotit. Besimi nuk ishte  një akt që bëhej vetëm njëherë; ishte një qëndrim i zemrës dhe mendjes që inspironte dhe aftësonte besimtarin për të marrë kryqin e tij e për të ndjekur qengjin. E ashtu siç thotë edhe Elton Trueblood: “ Të besosh nuk do të thotë të kesh bindje pa pasur asnjë provë, por t’i zësh besë Perëndisë pa pasur asnjë rezervim.”

Perëndia brenda një kutie të bukur

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërëAi fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua ( Psalmi 103:2-3).

Dr. Catherine Hamlin  është përshkruar nga “New York Times”  si “Nënë Tereza e re e  epokës sonë.“   Për shumë vite kjo grua e guximshme ka punuar  në krahë të bashkëshortit të saj në Etiopi, duke realizuar më shumë se 25.000 operacione, duke u dhënë dinjitet dhe shpresë grave, jetët e të cilave kanë qenë të traumatizuara për shkak të komplikimeve që kanë pasur gjatë lindjeve të foshnjave të tyre.

Në një periudhë kohe, kjo grua që ka ndihmuar kaq shumë persona, u diagnostikua me kollë kronike. Prognoza nuk ishte e mirë. Rrezet x tregonin një masë në mushkëritë e saj.  Gjithsesi, përpara se trajnimi të niste, Dr. Hamlin mori pjesë në një shërbese lutjeje, ku një grua e panjohur vendosi dorën mbi shpatullën e saj dhe po lutej që mushkëritë e saj të shëroheshin. Pas lutjes Dr. Hamlin u kthye nga e panjohura, të cilën nuk e kishte parë asnjëherë më parë dhe i bëri këtë pyetje konkrete: “ Si e dije që unë kisha një problem në mushkëritë e mia?” Gruaja u përgjigj se ajo ishte shtyrë nga Fryma e Shenjtë për t’u lutur për të. Atëherë Dr. Hamlin i tha asaj se kishte një tumor në mushkëri.

Dr. Hamlin u pranua në spitalin Hammersmith në Londër, për të realizuar biopsinë.  Shefi i departamentit të radiologjisë urdhëroi që t’i bëhej një skaner për ta konfirmuar diagnozën. Dr. Hamlin tregon se ndërsa shtrihej në cilindrin ku do të zhvillohej skaneri, ajo pa doktorët që ishin mbledhur mbi të dhënat e saj dhe diskutonin fortë mbi materialet që kishin në dorë. Më pas radiologu nisi të flas më të, duke i thënë, “ Më vjen shumë keq…” por kjo kërkesë për falje u kthye në gëzim, teksa ai po vazhdonte, “ por nuk mund të gjejmë asgjë shqetësuese në mushkëritë tuaja.” Dr. Hamblin u kthye në dhomën e saj, u vesh dhe doli nga spitali.

Dr. Hamlin, ishte vetë një kirurge, por  ajo nuk do  bindej kurrë se nuk kishte qenë lutja që i shërbeu asaj si ndërhyrje që Zoti t’i sillte shërim. Miqtë e saj skeptikë thanë, “ Ndoshta ajo grua që u lut për ty, të ka dëgjuar teksa je kollitur?” “ Jo, u përgjigjej ajo.” Nuk jam kollitur aspak. Ajo nuk ka pasur se si të dijë se cila ishte gjëndja ime.”

Disa thonë se “ Perëndia nuk i bën më këto gjëra sot.” Mendja jonë njerëzore nuk do të mund të kuptojë kurrë plotësisht se si  dora e Zotit prek disa me anë të shërimit, por ai  e shpërndan Hirin e Tij edhe tek të tjerët. Atë që Zoti nuk e ka zbuluar, unë nuk mund ta shpjegoj. Por fakti është se Perëndia është Sovran dhe se Ai bën atë që Ai zgjedh për t’i sjellë lavdi emrit të Tij.

Ndërkohë që i tregoja një mikeshës sime  për këtë incident, komentova, “ E di, ne shpesh e vendosim Perëndinë në një kuti, duke thënë që Ai nuk bën më gjëra të tilla. “ “ Po,” tha ajo, “por kjo është një kuti e bukur.” Ajo ka të drejtë. Nuk mund  të mos mendoja dot për dekorimet me lule, apo për drurin e shkëlqyer që përdoret për të zbutur fortësinë e arkivolit që mban trupin e dikujt që ti  ke dashur.

Çfarëdo që të bësh, mik, mos e vendos Zotin në një kuti të bukur, duke e zbukuruar atë me lot apo me lule.

Ai është gjallë, e është  njësoj, dje, sot, e përgjithmonë. Unë, jam i lumtur që nuk më duhet të shpjegoj se përse Perëndia zgjedh të bëj disa gjëra dhe zgjedh që të mos i  bëj disa të tjera. Shumë kohë më parë Jeremia kërkoi ndihmë “Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime” ( Jeremia 17:14), pastaj ai tha se është poçari ai që ka pushtet mbi baltën për të bërë atë që Ai zgjedh të bëj me të. “Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit,” ka deklaruar Zoti. ( Jeremia 18:6)

Lajmi i Mirë është se Perëndia nuk është në një kuti edhe nëse kjo është një kuti e bukur, e Ai që na krijoi ka fuqi mbi jetët tona që të na sjellë ndihmën, shërimin, shpresën dhe shpengimin.

 Page 2 of 6 « 1  2  3  4  5 » ...  Last »