Lajmi Fundit
prev next

Jini të kënaqur

Kënaqësia nuk varet nga ajo që kemi apo çfarë na mungon; gjendet vetëm tek Jezusi.

Hebrenjve 13:5-6

Kënaqësia është një cilësi që shihet në shumë pak njerëz sot. Shoqëria jonë po ofron gjithmonë artikuj, pajisje, përmirësime dhe komoditete të reja që premtojnë kënaqësi, rehati dhe lumturi. Por asnjë të mirë materiale nuk të përmbush për një kohë të gjatë. Megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë të bien pre e  gënjeshtrave në vend që të kënaqen me atë që kanë.

Libri i Hebrenjve iu shkrua njerëzve që po përjetonin shkurajim dhe përndjekje për besimin e tyre në Krishtin. Ata besimtarë u përballën me shumë vështirësi, duke përfshirë fyerjen publike, burgosjen dhe sekuestrimin e pronës (Hebrenjve 10:32-34). Megjithatë, te Hebrenjve 10:35-36, autori i nxit ata të durojnë, sepse kanë një zotërim më të mirë dhe të përjetshëm që i pret në parajsë. Ata mund të mos kenë pasur pasuri ose rehati këtu në tokë, por në Zotin, ata kishin gjithçka që u nevojitej – dhe Ai premtoi se nuk do t’i linte apo braktiste kurrë, pavarësisht se çfarë u bënin njerëzit në tokë.

Shumica prej nesh sot kanë shumë më tepër pasuri dhe siguri materiale sesa ata besimtarët e hershëm, por kënaqësia është ende e pakapshme. Kjo sepse problemi ka të bëjë me zemrën. Duam pasurinë dhe gjithçka që ajo ofron. Pra, ndërsa Zoti “I cili na jep gjithçka për ta gëzuar” (1 Timoteut 6:17), kënaqësia e vërtetë është e mundur vetëm kur zemra jonë është e vendosur tek Ai dhe jo tek gjërat e kësaj bote. Vetëm ai është shpresa jonë.

Privilegj i jashtëzakonshëm!

Në Jezusin, ne kemi akses në praninë e Atit dhe besimin se Ai i dëgjon lutjet tona.

Hebrenjve 7:11-28

Lutja është një privilegj vërtet i jashtëzakonshëm dhe duhet të jemi të kujdesshëm ti japim rëndësinë e duhur. A keni ndalur ndonjëherë për të menduar përse një Perëndi i shenjtë do të pranonte të dëgjonte kërkesat tona, e lëre më t’u përgjigjej atyre? Zoti është aq i përsosur sa që shenja më e vogël e mëkatit është e patoluerueshme në praninë e Tij. Qëniet njerëzore, nga ana tjetër, janë mëkatarë. Megjithatë, Perëndia dëshiron të komunikojë me ne, kështu që Ai bëri një mënyrë që kjo të jetë e mundur.

Përpara vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, priftërinjtë ofronin vazhdimisht flijime për të mbuluar shkeljet e njerëzve. Megjithatë, gjaku i kafshëve nuk e zhduku kurrë mëkatin përgjithmonë. Kështu që Perëndia dërgoi Birin e Tij që të ishte sakrifica shlyese e përsosur “një herë përgjithmonë” për këdo që beson te Shpëtimtari (Hebrenjve 7:27). Për shkak se Jezus Krishti pagoi të gjithë borxhin tonë të mëkatit me gjakun e Tij të çmuar, ne mund të hyjmë në praninë e shenjtë të Perëndisë.

Mos e marrim për të mirëqënë faktin që mund të flasësh me Zotin. Si të falur nga mëkatet, jemi të mirëpritur t’i afrohemi Atit në lutje, sepse Biri i Tij është kryeprifti ynë i përhershëm, i cili na mbulon me velin e drejtësisë së Tij.

Dashuri supreme

Gjithçka bëjmë për Zotin nëse nuk e bëjmë  me dashuri nuk kanë vlerë për asgjë.

1 Korintasve 13:1-7

Shkrimi i sotëm njihet zakonisht si kapitulli i dashurisë. Është interesante që Pali nuk e përshkroi përkufizimin e dashurisë, por përkundrazi përshkroi rëndësinë dhe shprehjen e saj.

Kjo lloj dashurie nuk është me origjinë njerëzore; ajo vjen nga Ati ynë qiellor dhe është pjesë e vetë natyrës së Tij (1 Gjonit 4:16). Ajo që përshkruan apostulli është një dashuri altruiste, sakrifikuese që vepron në emër të dikujt tjetër. Dëshira e Perëndisë është që të transformojë të gjithë besimtarët në imazhin e Jezusit (Romakëve 8:29). Dhe ne jemi më shumë si Krishti kur shfaqim një kujdes të tillë vetëmohues për njëri-tjetrin.

Tre vargjet e para të 1 Korintasve 13 janë paralajmëruese. Pa motivimin e dashurisë, të gjitha veprat tona të mira – duke përfshirë shërbesën ndaj Zotit – nuk do të na sjellin asgjë. Në sytë e Perëndisë, një frymë e dashur është më e rëndësishme se fjalët mbresëlënëse, njohuria, besimi, bujaria dhe vetëmohimi. Kur qëndrojmë përpara Krishtit për t’u gjykuar për veprat tona të mira, çdo vepër e bërë për arsye egoiste nuk do të konsiderohet e denjë për shpërblim.

Ne të gjithë jemi të verbër në një farë mase për sa i përket motiveve tona, kështu që të dallosh pse i shërbejmë Perëndisë ose bëjmë vepra të mira mund të jetë e vështirë. Lutuni që të njihni qëllimet e fshehura të zemrës suaj dhe kërkoni nga Zoti që të zëvendësojë çdo motiv egoist me mënyrën e Tij më të shkëlqyer të dashurisë.

Të ecësh me Zotin në kohë të errëta!

Kohët e errëta, sfiduese nuk shkojnë kurrë dëm kur ndiqni Zotin.

Zanafilla 39

Le të rikujtojmë besimin e Jozefit. Sepse do të shohim disa parime që e udhëhoqën atë gjatë momenteve sfiduese të jetës së tij.

Kohët e errëta mund të vazhdojnë derisa të realizohet qëllimi i Perëndisë. Plani i Zotit ishte të përgatiste Jozefin për të shpëtuar familjen e tij, si dhe kombin e Egjiptit, nga uria. Por së pari, Perëndia e vendosi Jozefin në rolin e një shërbëtori, ku ai fitoi besueshmëri te udhëheqësit egjiptianë. Më pas, u fut në burg ku Zoti “shfaqi dashamirësi” (Zanafilla 39:21), duke e pozicionuar atë për të interpretuar ëndrrën e Faraonit. Përmes këtyre situatave të vështira, Jozefi u zgjodh nga Faraoni për të udhëhequr Egjiptin dhe për të shpëtuar kombin nga uria, siç e kishte planifikuar Perëndia.

Ne mësojmë si në errësirë ​​ashtu edhe në dritë. Përveç zbulimit të besnikërisë së Perëndisë, Jozefi mësoi të mbante pozita të larta dhe të ulëta, t’i thoshte jo tundimit dhe të dallonte praninë e Perëndisë.

Atë që mësojmë në errësirë, duhet ta ndajmë në dritë. Jozefi nuk lejoi që burgimi ta dekurajonte që të ndihmonte të tjerët (Zanafilla 40:1-23). Në fakt, kur interpretonte ëndrrat e Faraonit, ai ndau hapur besimin e tij dhe njohurinë e dhënë nga Perëndia (Zanafilla 41:15-16).

Askush nuk kërkon kohë të vështira, por duket se disa prej nesh i përjetojnë rregullisht. Në vend që t’i kemi frikë ata, mund t’i besojmë Perëndisë dhe të përqafojmë planin e Tij, duke e ditur që Ai përdor sprovat për lavdinë e Tij dhe përfitimin tonë.

Rruga e Davidit si shërbëtor i Zotit

Gjithçka që hasim dhe durojmë në jetë është pjesë e planit të madh të Perëndisë.

Psalmi 89:19-29

Zoti zgjodhi Davidin që të ishte shërbëtori i Tij dhe e përgatiti për atë thirrje. Duke ndjekur fazat e ndryshme të jetës së tij – nga gjërat që ai përjetoi si një djalë i thjeshtë bari deri tek arritjet e tij si një sundimtar heroik – mund të shohim se si Zoti e përgatiti Davidin që të përdorej fuqishëm.

Bariu: Në kohën kur Davidi u vajos  si mbret, ai nuk kishte pasur autoritet mbi asgjë përveçse deleve (1 Samuelit 16:1-13). Përulësia ishte vendi fillestar i stërvitjes për t’u bërë shërbëtor i Perëndisë si mbret i Izraelit.

Psalmisti: Davidi vuajti shumë mundime gjatë rrugës për në fron dhe shkrimet e tij zbulojnë se si ato vështirësi e afruan më shumë me  Perëndinë. Psalmet e tij pasqyrojnë marrëdhënien e tij  intime me Perëndinë që ai njihte dhe besonte thellë.

Komandanti: Mbreti Saul e vuri Davidin në krye të ushtrisë së tij, por më vonë u kthye kundër të riut. Ndërsa fshihej nga Sauli, ai udhëhoqi një grup njerëzish të fuqishëm (1 Kronikave 12). Shumë kohë përpara se Davidi të bëhej mbret, Perëndia i përdori këta ushtarë për të mposhtur armiqtë e huaj dhe për të mbrojtur popullin e Judës.

Zoti po punon edhe në jetën tuaj, duke ju dhënë formë si shërbëtorin e Tij. Vështirësitë dhe pengesat tuaja kanë një vend në planin e Tij dhe Ai po i përdor ato për t’ju trajnuar për atë që ju pret përpara.

Stuhitë e Jetës!

Perëndia kurrë nuk u premtoi besimtarëve se do të jetonin një jetë pa vështirësi, por u premtoi se vështirësitë nuk do jenë të kota.

Mateu 14:22-33

Kur ju rrethojnë vështirësitë, a habiteni që Zoti i lejon ato? Një mendim i tillë supozon se të qënit një besimtar i bindur na përjashton nga problemet. Shqyrtoni paragrafin e sotëm—dishepujt bënë pikërisht atë që tha Jezusi, u futën në barkë dhe lundruan për në anën tjetër. Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, ata e gjetën veten të goditur dhe që përplaseshin sa andej këndej nga një stuhi e fuqishme.

Ka dhe besimtarë që mendojnë se nëse jeni duke kaluar vështirësi është për shkak se ju jeni vetë problemi. Edhe pse Perëndia përdor sprova për të na korrigjuar herë pas here, jo të gjitha vështirësitë  janë rezultat i mëkateve dhe dështimeve tona. Por Ai mund të përdorë të gjitha situatat për të na maturuar  dhe për të na bërë më të ngjashëm me Krishtin.

Dhe kjo është ajo që po ndodhte me dishepujt tek Mateu 14. Jezusi e dinte se çfarë i priste që  para  se ti dërgonte por  po i pregatiste ata për punën që do i thërriste të bënin. Në këtë rast, kjo stuhi do t’i ndihmonte ata të mësonin mësime kyçe rreth besimit  dhe që do të ishin të paçmueshme për shërbesën e tyre të ardhshme.

Perëndia përdor një sërë mjetesh për të na ndihmuar të bëhemi shërbëtorë të fortë të Jezus Krishtit. Në vend që ta mbajmë kokën ulur ndaj betejave të jetës, le ti ngrejmë sytë lart tek Zoti dhe të kërkojmë forcën dhe qëllimet e Tij.

Bindja, proçes mësimi.

Praktikimi i bindjes ndaj autoriteteve tokësore na ndihmon të mësojmë t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.

Efesianëve 6:1-9

Nga fillimi deri në fund të Biblës, Zoti i urdhëron njerëzit e Tij t’i binden Atij. Por nënshtrimi nuk na vjen natyrshëm, sepse të gjithë kemi lindur me një shpirt rebel. Ndaj duhet të mësojmë t’i bindemi Zotit dhe të kuptojmë se si të ndërveprojmë me përulësi  me njerëzit që kanë autoritet mbi ne.

Vendi ideal për të mësuar bindjen është shtëpia. Në pjesën e sotme u kërkohet fëmijëve të nderojnë dhe t’i binden nënës dhe babait të tyre (Efes. 6:1-2). Perëndia planifikoi që përvojat tona të para ndaj autoritetit do të përfshinin nënshtrimin ndaj prindërve që na duan dhe kujdesen për ne. Nëpërmjet këshillave dhe disiplinës së tyre, mësojmë se çfarë duhet për të mbajtur nën kontroll shpirtin tonë rebel.

Në çdo fazë të jetës, Perëndia  vendos autoritete mbi ne, qofshin prindër, mësues, trajnerë, punëdhënës ose politikanë (Romakëve 13:1-2). Sigurisht, si gjithë njerëzimi, edhe këta njerëz kanë lindur në mëkat, kështu që ata do të bëjnë gabime dhe do të ketë raste ku  do të na trajtojnë padrejtësisht – por gjithsesi  ata janë instrumentet e Tij. Pavarësisht nëse e miratojmë apo jo mënyrën se si na drejtojnë, njerëzit me autoritet na mësojnë vlerën e bindjes dhe pasojat e mosbindjes.

Shpesh e shmangim idenë për t’iu përgjigjur dikujt tjetër. Por na ndihmon të kuptojmë se qëllimi përfundimtar është t’i bindemi Zotit – dhe se urdhërimet e Perëndisë janë për të mirën tonë (Ligji i Përtërirë 10:12-13).

Të presësh në Zotin!

Është më e lehtë të presësh në Zotin  kur kujton se planet e Tij janë më të mirat.

Vajtimet 3:24-26

Shumë të krishterë luftojnë me pritjen. Ka shumë gjëra që i duam tani – dhe zakonisht marrim kontrollin për të përmbushur dëshirat tona. Në fakt, ky është çelësi i gjithë industrisë së kartave të kreditit: Merrni  tani; paguani më vonë. Nuk janë vetëm gjërat që zotërojmë ato për të cilat nxitojmë. Disa njerëz duan aq shumë të martohen, saqë bëjnë zgjedhje jo të mençur në lidhje me bashkëshortin. Të tjerët nxitojjnë aq shumë të bëhen të suksesshëm në karrierën e tyre, saqë kërkojnë rrugë të shkurtra për të ecur përpara.

Pra, pse Zoti na bën të presim? Një arsye është për të na mbrojtur. Ata që nuk mund t’i thonë jo dëshirave të tyre, përfundojnë skllevër të tyre. Perëndia dëshiron që ne të jemi besimtarë të pjekur, të cilët kanë karakterin dhe vetëpërmbajtjen për të pritur që Ai të sigurojë në kohën e Tij të përsosur. Për shkak se Ati ynë qiellor është i gjithëdijshëm, vetëm Ai e di se çfarë është më e mira. Besoni se nëse Ai ju kërkon të prisni, Ai ka diçka më të mrekullueshme në mendje se sa mund të siguroni ndonjëherë për veten tuaj.

A ka ndonjë gjë pushtet mbi ju? Nëse po, mund të jetë një fushë që kërkon durim. Dorëzojini dëshirat tuaja tek Zoti. Pastaj, filloni t’u thoni jo tundimeve ndërsa prisni që Perëndia të zbulojë vullnetin e Tij për jetën tuaj.

Sot është Dita e Shpëtimit

Sa më shpejt ta pranojmë Jezusin si Shpëtimtarin tonë, aq më shumë kohë kemi për një miqësi më të thellë  me Të.

 Gjoni 5:24-30

Zvarritja ka pasoja serioze në shumë fusha të jetës—veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje shpirtërore. E shihni, çdo person do të kalojë përjetësinë diku dhe destinacioni përcaktohet nga zgjedhja që bëjmë  në këtë jetë: Secili prej nesh ose do e pranojë ose refuzojë ofertën e Jezusit për faljen e mëkateve. Disa njerëz mendojnë se mund ta shtyjnë këtë vendim derisa t’u afrohet vdekja.

Fatkeqësisht, ky arsyetim nuk është shumë i mirë. Para së gjithash, ti nuk e di se kur do të jetë dita jote e vdekjes. Së dyti, nëse vazhdon të jetosh një jetë pa Krishtin, zemra juaj do të ngurtësohet shumë me kalimin e kohës. T’i thuash vazhdimisht jo Perëndisë mund të rezultojë në pamundësinë për të thënë po kur vdekja të troket në derë. Në fakt, mund të mos kemi fare interes për ofertën e Krishtit. Atëherë do të përballeni me realitetin e tmerrshëm të gjykimit, ndërsa qëndroni përpara Perëndisë pa një Shpëtimtar (Hebrenjve 10:26-27).

Shtyrja e pranimit  të  Krishtit në jetën tuaj, do ju bëjë që të humbisni bekimet e një marrëdhënieje thellësisht personale me Perëndinë; dhe gjithashtu rrezikoni ndarjen e përhershme prej Tij për gjithë përjetësinë. Mos e shtyni më! Vendosni besimin tuaj në Krishtin sot. Pranoje mëkatin tënd, kërko falje prej Tij dhe beso tek Ai si Shpëtimtari dhe Zoti yt

Gjyqtari dhe gjykimi

Të gjithë njerëzit do t’i japin llogari për jetën e tyre Jezusit, por ata që besojnë në emrin e Tij nuk do të dënohen.

Gjoni 5: 22-24

Kushdo që ka qenë në sallën e gjyqit e di shumë mirë se çfarë atmosfere  autoriteti dhe frike përcjell gjyqtari  kur futet në sallë. Një ditë, të gjithë do të përballen me Gjykatësin e fundit—Zotin Jezu Krisht. Kur t’i afrohemi Atij, do të qëndrojmë përpara Atij që është krejtësisht i drejtë dhe i shenjtë. Ai është i paanshëm dhe do të marrë vendimin përfundimtar. Standardi i tij për drejtësinë është e vërteta, jo opinioni.

Jezusi, të cilit i është dhënë kjo përgjegjësi nga Ati i Tij qiellor, është i përsosur për këtë pozicion: Ai mund të simpatizohet me dobësitë tona dhe i kupton tundimet tona, sepse edhe Ai vetë vuajti dhe u tundua– por nuk mëkatoi kurrë (Hebrenjve 4:15).

Bibla na mëson se edhe pse  besimtarët nuk do të dënohen në ditën e gjykimit, prapë së prapë do të qëndrojnë përpara Krishtit për të dhënë llogari për jetën e tyre (Romakëve 14:10-12). Qëllimi i tij nuk është të ndëshkojë, por të vlerësojë dhe shpërblejë veprat e tyre të mira.

Çfarë ngushëllimi kemi kur e dimë se Gjykatësi është gjithashtu Shpëtimtari ynë, i cili na deshi aq sa vdiq për  ne. Krishti është për ne, jo kundër nesh. Le të jetë ky motivi ynë për të jetuar një jetë  për Atë që na ka çliruar nga frika e ndëshkimit (1 Gjonit 4:16-18).

 Page 1 of 3  1  2  3 »