Lexo: Romakëve 12:17-21
Andi po ecte për në shtëpi me një pamje të zymtë në fytyrë. Ai e dinte që nëna do t’i shihte rrobat e tij dhe do ta kuptonte që ai ishte grindur sërish. Ndërsa babai do ta… epo, Andi nuk e dinte se çfarë do të bënte babai dhe mendoi: “Por nuk më intereson! Që kur Xhejsi më gënjeu dhe më futi në telashe, nuk e duroj dot më si njeri!” Ndërsa po kalonte një vend ku nuk kishte njeri, ai vuri re trungun e një peme të vjetër me grumbull bletësh që kishin bërë një zgjua. Asnjëra prej tyre nuk po lëvizte dhe ai pa që disa ishin përtokë. Andi murmuriti: “Bletë të ngordhura! Mendoj se nuk e kanë duruar dot të ftohtin! E kam dashur një bletë për koleksionin tim të insekteve. Tani kam mundësinë ta marr një pa u pickuar.” Ai mori një bletë dhe e futi me kujdes në xhepin e tij. Kur Andi mbërriti në shtëpi, ndodhi pikërisht ajo që ai priste. Nëna thirri: “Andi, ç’ke kështu? Je zënë përsëri me shokët! Mendoj se këtë herë ishte prapë Xhejsi.”.
Babai i Andit kishte ardhur në shtëpi tashmë, dhe Andi u ndie keq kur pa zhgënjim në fytyrën e tij dhe i tha duke u përpjekur të justifikonte sjelljet e tij: “Epo, Xhejsi sillet gjithmonë keq me mua. Ai thotë gjithë ato gjëra të shëmtuara!”.
Babai i tha: “E kemi diskutuar edhe më parë se çfarë thotë Jezusi për mënyrën se si duhet t’i trajtojmë ata që nuk sillen mirë me ne. Ai nuk dëshiron që të zihemi me grushta.”
“Jo, por unë… unë përpiqem të mos zemërohem, mirëpo nuk e përmbaj dot veten,” murmuriti Andi. Ai i zhyti duart e tij në xhepa. Duke ulëritur i nxori sërish dhe drejt dritares fluturoi një bletë. Ai thirri: “Më pickoi! Unë mendova se kjo bletë kishte ngordhur!”.
Kur babai hoqi thumbin nga gishti i Andit, ai tundi kokën dhe i tha: “E di, bir, zemërimi dhe mosfalja që ti ke kundrejt Xhejsit është diçka e ngjashme me bletën. Këto ndjenja qëndrojnë të fjetura në zemrën tënde dhe duken pa jetë, por kur Xhejsi të provokon, ato rizgjohen sërish. Ti ke nevojë t’ia dorëzosh Perëndisë lëndimin dhe zemërimin tënd.”.
“Unë jam përpjekur ta bëj, por nuk funksionon.”- tha Andi. Babai vazhdoi:
“Ti nuk mund të thuash thjesht fjalë; duhet t’i marrësh seriozisht ato. Dhe bëj atë që thotë Perëndia, sillu mirë me Xhejsin. Besoj se do të habitesh nga ajo që do të ndodhë.” “Të sillem mirë me të? Por ai…” Andi heshti. “Do të sillem mirë me të,” përsëriti ai pasi u mendua. “Do të përpiqem. Do t’i jap një… biskotë nesër.”
A e mbush hera herës zemrën tënde zemërimi, zilia ose egoizmi? A ke menduar se i ke mposhtur ato, por më pas i ke ndjerë sërish? Mbase je lutur për këtë dhe i ke thënë të gjitha fjalët e duhura, por nuk e ke provuar asnjëherë mënyrën e Perëndisë për t’i mposhtur ato; asnjëherë nuk i ke zëvendësuar ato duke i bërë mirë personit që përfshihet në këtë situatë. Me zemër kërkoji Perëndisë të të tregojë diçka të mirë që mund të bësh për atë person që nuk të pëlqen, dhe më pas bëj diçka të mirë ndaj tij.
Mposhte të keqen me të mirë!