Lajmi Fundit
prev next

E rilindur!

Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtohet me anë të tij.” (Gjoni 3:17)

Carol Tullar ishte duke punuar vetëm të premten në mëngjes në restorantin e Bobby  McGee, një vend shumë i njohur, një vend plot gjallëri. Carol dëgjoi zilen e derës dhe shkoi të shihte se kush ishte. Kur njohu një nga rojet e zakonshëm, ajo e hapi derën. Carol flet për këtë, duke thënë: “Unë e hapa derën dhe fillova të ecja për në zyrën time, duke parë me cep të syrit vura re se ai po më ndiqte. Papritur, ai më tha të hapja kasafortën. Më kaploi frika dhe për herë të parë pas shumë vitesh, fillova të lutesha me dëshpërim.”- tha Carol.

Papritur Carol pati një frikë brejtëse në stomak: “Do të më sulmojë,” mendoi ajo. Kishte të drejtë, por makthi sapo kishte filluar. Pasi e dhunoi, roja i drejtoi armën në kokë dhe e tërhoqi këmbëzën dy herë. Ajo thotë: “U përballa menjëherë me vdekjen dhe… E dija që nuk isha gati.” Ende e ndërgjegjshme ajo u zvarrit deri tek një telefon për të kërkuar ndihmë, pastaj për tmerrin e saj sulmuesi u kthye dhe e qëlloi atë në kokë me tre plumba të tjerë. Në atë pikë, Carol thotë: “Unë ende mbaja shpresa se do të mbijetoja.”

Fakti që Carol mbijetoi ishte e pabesueshme. Doktorët hoqën katër nga pesë plumbat që kishin zënë vend në trurin e saj, tre nga një anë dhe një nga ana tjetër. Doktorët e quajnë shërimin e saj “një mrekulli mjekësore,” por ajo e di se kush është përgjegjës për mrekullinë e vërtetë. Kur u shërua, Carol hyri në një shkollë Biblike duke u përgatitur të jetonte pjesën tjetër të jetës së saj shumë më ndryshe nga sa do të kishte jetuar nëse nuk do të ishte përballur me vdekjen.

Askush nuk mendon për jetën pas vdekjes për aq kohë sa gjërat shkojnë mirë në këtë jetë, por Carol e mësoi në një moment se koha për të qenë gati për të vdekur është para se të përballesh me këtë mundësi, jo në momentin kur përballesh me vdekjen. Dan Plies, një kapelan spitali, thotë se çdo person duhet të përballet njëherë me të gjitha gjërat e tjera para se të përballet me spitalin. Por a është kjo e mundur?

A është e mundur që ju të mund të dinit se çfarë do të ndodhte në këtë rast me portierin, i cili u çmend, tërhoqi këmbëzën dhe ju e gjetët veten duke trokitur në derën e parajsës së Perëndisë? Shumë njerëz mendojnë se nëse bëjnë më të mirën, nëse paguajnë të gjitha faturat, janë të sjellshëm me të vjetrit dhe nuk i shkelmojnë qentë… nëse japin pak këtu pak atje, atëherë kur të trokasin në portën e parajsës, ajo do t’i njohë menjëherë dhe do të t’i thotë: “Mirëserdhe!”

As mos e mendoni! Jezusi ka thënë “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” (Gjoni 3:3)  Këto fjalë i janë drejtuar një njeriu të mirë. Ai i kishte të gjitha kualifikimet për të qenë një baba i mirë, por Jezusi i tha se nuk do ta shihte mbretërinë e Perëndisë nëse nuk rilindte.

Jezusi tha se për të pasur jetën e përjetshme duhet të lindësh dy herë; një lindje natyrale dhe një lindje të mbinatyrshme. Ju mund të mendoni se është e frikshme. Në të vërtetë nuk është. Rilindja shpirtërore ndodh kur ti e fton Jezus Krishtin në jetën tënde si një person të gjallë. Bibla thotë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme.” (Gjoni 3:16) A mund ta dijë dikush se ka lindur sërish? Si? Dhe çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar? Përgjigjet për këto pyetje do t’i gjeni në programin e radhës.

Jetoni të sotmen

Pastaj u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. (Luka 12:22)

Miku im Wayne Peders, letrat dhe e-mailet e tij i mbyllte me fjalët: “Shikoni përpara!” Nuk shkruan më kështu! Tashmë e ka ndryshuar në; “Jeto të sotmen!” Ai zbuloi se ndërsa shikonte gjithmonë përpara duke synuar të arrinte qëllime dhe objektiva, ai nuk arriti të shikonte një pjesë të madhe të udhëtimit. Ja si e përshkruan ai: “Isha në një mbledhje dhe po kontrolloja mesazhet në celularin tim, kur drejtuesi më bëri një pyetje. Isha komplet jashtë diskutimit. U kapa mat!

Asistentja ime administrative po më thoshte diçka të rëndësishme ndërsa unë shfletoja grumbullin e madh të letrave në tavolinën time. Ajo më tha: “Nuk po më dëgjon, apo jo?” U kapa mat!

Po flisja në telefon me një mik, por ndërsa ai ishte duke folur unë isha duke shkruar mesazhe. Ai duhet të ketë dëgjuar zhurmën e tastierës, sepse e la fjalinë në gjysmë dhe tha: “Mos po shkruan mesazhe, apo jo?” U kapa mat!

Pastaj ai pyeti: “Sa herë kemi qenë të zënë me mendimet tona ndërsa personi më i dashur në botë po na thoshte diçka shumë të rëndësishme për të? ‘Të kujtohet, ta thashë javën e kaluar.’” I kapur mat sërish.

Pasi të gjitha këto ngjarje erdhën në fokus të jetës së tij personale, Wayne kuptoi se ai ishte aq i përqendruar në atë që ai donte të ndodhte në të ardhmen saqë nuk po shijonte të sotmen. Ai rrëfeu atë që shumë prej nesh duhet ta pranojnë. Ai tha: “Kur unë shkoj për të vrapuar, në vend që të shijoj ajrin e pastër, pamjen dhe ushtrimet, e gjej veten duke menduar: “Mezi pres që të mbaroj.’”

Ndërsa ishte duke pritur fluturimin, ai mori një libër në aeroport me titull “The Present” (E tashmja), nga Spencer Johnson. Ky autor i mirënjohur në botën e biznesit thotë: “Kur ju pranoni të tashmen, nuk e harxhoni më kohën duke ëndërruar të jeni diku tjetër. Qëllimi juaj është vetëm në atë që po ndodh në atë moment. Të qëndrosh në të tashmen do të thotë të fokusohesh në atë që po ndodh në atë moment.

Dhe kur u mblodhën të gjitha këto, Wayne filloi të kuptonte se ishte koha për të bërë disa ndryshime personale, dhe e ndryshoi fokusin e tij nga e ardhmja në të sotmen! Ai e përmbyll duke thënë: “Kur jam me nipërit e mi, nuk mendoj më për atë artikullin që duhet të shkruaj. Kur vrapoj… Tani shijoj pamjen. Dhe kur jam në një mbledhje, nuk do të kontrolloj mesazhet ose shënimet për mbledhjen tjetër. Nëse më kapni duke e bërë këtë, më shikoni dhe më thoni: “Të kapa mat!”’

Nuhasni aromën e luleve, merrni kohë të shijoni habinë e fëmijëve tuaj ndërsa zbulojnë diçka të re, vëreni buzëqeshjen e gruas tuaj dhe shijoni shtrëngimin e duarve tuaja. Jo më kot Bibla e përmend fjalën ‘sot’ 194 herë dhe ‘nesër’ vetëm 81 herë. Fokusi i Perëndisë është në të sotmen. Është e vetmja kohë në jetën tuaj për të cilën mund të bëni diçka. E sotmja është një dhuratë që na jepet për ta shijuar. Mos e humbisni!

Të japësh dhe të marrësh

Atëherë ai, duke u përgjigjur, u tha atyre:Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu.(Luka 3:11)

Shkencëtarët kanë shpjeguar qartë ligjet natyrore që kanë qenë në veprim që nga krijimi. Këto ligje nuk janë subjekte të ideve apo filozofive të njerëzimit. Për shembull, Isak Njuton artikuloi ligjin e gravitetit. Ligji i gravitetit nuk ka të bëjë me mënyrën se si unë ndihem, ose çfarë mendoj unë, apo nëse duhet apo jo që qeveria të miratojë ligje që ndalojnë forcën e gravitetit. Ai është aty dhe as nuk mund të miratohet as anulohet.

Edhe në aspektin frymëror, ka ligje të caktuara ose principe që veprojnë në të njëjtën mënyrë, edhe pse mund të jenë më të vështirë për t’u shpjeguar. Për shembull, një ditë Jezusi foli rreth ligjit të të dhënit dhe të marrit. Ky nuk është pikërisht termi që përdori Ai. Ai nuk tha: “Në rregull, njerëz, sot do të shpjegoj ligjin e të dhënit dhe të marrit, që është çelësi për t’u pasuruar.” Në vend të kësaj, Ai foli me shëmbëlltyra ose histori, dhe shpesh i demonstroi të vërtetat e Tij me incidente nga jeta e përditshme.

Jezusi përcaktoi një ligj shpirtëror që është totalisht kundër logjikës njerëzore, sërish ajo që Ai tha mund të demonstrohet aq qartë sa ligjet e mbjelljes dhe korrjes. Nëse mbillni farë, ju do të keni të korra. Megjithatë, gjërat për të cilat foli Jezusi janë abuzuar, keqkuptuar dhe janë përdorur për fitim personal, por ky fakt nuk e ndryshon të vërtetën. Jezusi tha: ” Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju jepet në prehër, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve përsëri “ (Luka 6:38). Një parafrazim thotë kështu: “Nëse jep, do të marrësh. Dhurata juaj do t’ju kthehet plotësisht dhe në masë të madhe, dhe me tepri. Me atë masë që do të jepni, me atë edhe do të merrni.”

I çuditshëm ky parim që përdori Jezusi. Jepni atë që keni që të fitoni edhe më shumë? Gjëja interesante rreth këtij principi të dhënies dhe marrjes është se ai nuk flet vetëm për para. Kjo përfshin edhe kohën tuaj si vullnetar, gatishmërinë tuaj për të dëgjuar dikë, të ndani aftësitë tuaja dhe shumë gjëra të tjera. Nuk do ta harroj kurrë kohën kur isha në një zonë fisnore të Filipineve, dhe pasi unë fola, personi përgjegjës hapi takimin për pyetje. Ishte një punë e gjatë dhe e vështirë sepse ata i bënin pyetjet në gjuhën e tyre dhe dikush tjetër duhet të mi përkthente mua që të mund t’i kuptoja, dhe pastaj përgjigja ime duhet t’i përkthehej atyre. Ishte pothuajse mesnatë kur përkthyesi tha, “E shikon atë burrin atje?! Ai po pyet: ‘Pse duhet që unë që kam kaq pak ti jap Zotit që ka shumë?’”

I hodha një vështrim të dytë atij burri. Ai kishte hedhur një bluzë krahëve dhe qëndronte i zbathur. U zura në befasi nga pyetja sepse unë as nuk i kisha përmendur paratë apo të dhënit. Uau! Çfarë pyetjeje! Meritonte një përgjigje. Unë thashë: “Ka tre arsye.1. Dhënia është një përgjigje bindjeje ndaj asaj që kërkon Perëndia. Pastaj shtova: 2. Është një mënyrë për të marrë një bekim nga Perëndia që mund të vijë në shumë mënyra (duke cituar atë që tha Jezusi), pastaj unë thashë: 3. Ju mund t’i bashkoni ato që keni për të dërguar dike në male, lugina, për të ndarë Ungjillin. Ligji që Jezusi demonstroi mund të demonstrohet personalisht. Provojeni vetë!

Kur e lejojmë Zotin të jetë Zot

Sepse tani, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë, ashtu sikurse njihem.( 1 Korintasve 13:12)

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të mësoni rreth Zotit është se Zoti është Zot! Ju mund të mendoni se kjo nuk është shumë e thellë, por në të vërtetë është! Do të flasim tani për këtë! Duke mos e njohur Perëndinë, ne supozojmë se Ai është një qenie njerëzore që adhurohet, dhe prandaj përpiqemi ta kuptojmë Atë në të njëjtën mënyrë që përpiqemi të kuptojmë një person tjetër. Tani, kur themi se Zoti është Zot nuk e përjashtojmë faktin që Ai është një person me inteligjencë, vullnet dhe emocione. Ai është kaq dhe shumë më tepër.

Të themi se Zoti është Zot është një pohim i fuqishëm që na çon mbi nivelin e njerëzores, në atë të mbinatyrores. Prandaj, duhet të pranojmë që në shumë mënyra Zoti është ndryshe nga njerëzit që njohim. Ai nuk ndryshon kurrë. Ai nuk ka as fillim as fund. Ai nuk lodhet kurrë dhe kurrë nuk dështon. Ai është besnik. Atë që Ai thotë se do ta bëjë, e bën! Atij mund t’i duhet pak kohë, ndoshta edhe një kohë e gjatë, dhe ne mund të lodhemi duke pritur që Ai të vijë, por Ai do të vijë. E kam thënë gjithmonë: “Zoti rrallë është herët, por nuk është kurrë vonë!”

Një burrë që e kaloi jetën e tij duke ecur me Perëndinë, i cili ndoshta ishte më pranë Zotit se çdo njeri tjetër në kohën e tij, profeti Samuel, shkroi: ” Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet “ (1 Samuelit 15:29). Kjo është një nga arsyet se pse është e vështirë për disa që ta kuptojnë Atë. Zoti është ndryshe nga ne. Ai nuk nxiton kurrë, por ne e bëjmë shpesh! Ai e mban gjithmonë Fjalën e Tij. Por ne shpesh nuk e mbajmë. Ai është në një tjetër nivel, prandaj shpesh herë është e vështirë për ne.

Vetë Zoti, na e ka thënë këtë kohë më parë. Këto fjalë i gjeni tek (Isaia 55:8-9,) “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia», thotë Zoti. «Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.’”

Zoti është ndryshe nga ne, ka durim të pafund dhe dhembshuri. A keni lexuar ndonjëherë një gazetë ku dikush ka dhunuar një fëmijë ose një viktimë të pafajshme, dhe keni menduar “Po të isha Zoti do ta vrisja atë…”? Sigurisht, ju do ta bënit, edhe unë, por Zoti nuk e bëri. Pse? A është Zoti i butë në gjykim?

Disa kanë menduar kështu, edhe ata që kanë qenë profetë. Më vjen në mendje Habakuku, shkrues i një libri në Dhiatën e Vjetër që ndërsa ishte duke kaluar një situatë të ngjashme i thirri Perëndisë: “Deri kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh … Pse e toleron të keqen?” Në fund Perëndia iu përgjigj atij dhe ai filloi të kuptonte se durimi i Perëndisë e ka një fund,  një limit kur durimit të Tij do t’i vijë fundi dhe do të bëhet drejtësi.

Dua që të mendoni për këtë sot. Lejojeni Zotin të jetë Zot! Gjeni paqe në faktin se Ai është sovran, që Ai e njeh të ardhmen dhe prandaj, nëse jeni bij të Tij, mund të keni paqe duke besuar se Ai është në kontroll të jetës tuaj dhe të botës në të cilën jetoni. Asnjë fëmijë i Perëndisë nuk i vë në dyshim rrugët e Perëndisë dhe mënyrën se si Ai punon.

Mërzia 2

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim. (Psalmi 127:3)

A jeni të mërzitur me jetën dhe ndiheni si një ketër në kafaz—e njëjta gjë dit pas dite pa asnjë ndryshim? Dr. Edward Thorndike i Universitetit të Kolumbisë kreu një sërë eksperimentesh në lidhje me mërzinë dhe lodhjen. Ai mori një grup studentësh dhe i mbajti ata zgjuar për rreth një javë duke ndryshuar vazhdimisht interesat e tyre. Dr. Thorndike i përmbylli testet e tij duke thënë se “Mërzia është i vetmi shkak i vërtetë i lodhjes.”

Thjesht se nuk jeni mërzitur nuk do të thotë se të gjithë ju mund të qëndroni një javë pa fjetur; por mundësitë janë, ju mund të mos lodheni aq shumë sa lodheni kur jeni të mërzitur. E mbani mend atë ditë javën e kaluar kur ndërpriteshit vazhdimisht?

Çdo herë që ju fillonit të bënit punën tuaj, ndodhte diçka—binte telefoni, ose dikush ju dërgonte mesazhe—dhe gjatë gjithë kohës puna ishte në mendjen tuaj. Në fund të ditës ju shkuat në shtëpi të lodhur dhe nuk kishit bërë pothuajse asgjë! Pastaj ditën tjetër gjithçka shkoi mirë. Ju patët një ditë produktive dhe bëtë diçka. Ju shkuat në shtëpi të lodhur, por të kënaqur. Pse? Sepse pjesa më e madhe e lodhjes shkaktohet nga mërzia!

Çfarë mund të bëni për të mposhtur mërzinë? Një gjë që mund të bëni është të vendosni të bëni interesante një punë të mërzitshme. Merrni rastin e makinistit me emrin Sam. Ai kishte punën më të mërzitshme në kompaninë e tij. Ai donte të hiqte dorë, por kishte frikë se nuk do të mund të gjente një punë tjetër; prandaj ai vendosi ta bënte punën e tij interesante. Ai filloi të konkurronte me një tjetër makinist dhe e përmirësoi shpejtësinë dhe saktësinë e tij. Ky ishte fillimi i një serie të tërë ngritjesh në detyrë që tridhjetë vite më vonë e bënë Samuel Vauclain president të kompanisë së tij.

Ka raste kur është plotësisht e kuptueshme se pse mërzitemi, por shpesh jemi të mërzitur me jetën sepse jemi mërzitur me veten. Ne vazhdojmë të kërkojmë për emocione të reja, mundësi të reja. Ndonjëherë nuk jemi të sigurt se çfarë kërkojmë. Jemi si një aeroplan pa fushë uljeje—nuk përshtatemi me jetën.

Qindra vite më pare Augustini shkroi: “Ti na ke bërë për veten Tënde, o Perëndi, dhe zemrat tona nuk kanë paqe derisa të gjejnë veten në Ty.” Ai ka të drejtë—ju mund të jeni të lodhur dhe të mërzitur me jetën tuaj sepse jeta juaj nuk ka qëllim ose kuptim. Nëse kjo nuk është e vërtetë, atëherë më shpjegoni indiferencën që shumë njerëz kanë për jetën. Sot njerëzit kanë gjithmonë e më shumë, sërish janë të pakënaqur, të mërzitur, të lodhur dhe le ta pranojmë, thjesht janë të mërzitur me jetën, me veten e tyre, dhe me të tjerët.

Për çfarë po jetoni? Nëse do të merrnit ngritjen në detyrë që dëshironi, a do të ishit me të vërtetë të kënaqur, ose a do të ishit kaq të mërzitur sa jeni tani? A mendoni se do t’ju kënaqë ajo gjë që doni nga jeta?

Mërzia në jetë—një mungesë e qëllimit për të jetuar—është edhe shkaku i mijërave vetëvrasjesh çdo vit. Një grua e re në Rusi tha: “Jeta nuk ia vlen të jetohet sepse nuk ka kuptim.” Shumë njerëz kanë këtë qëndrim, por jeta juaj mund të ketë një qëllim, dhe pjesë e këtij qëllimi është të dish se Perëndia ka një vullnet për ju dhe kujdeset për ju. Dëshpërimi juaj mund të jetë një gjë e mirë sepse  mund t’ju çojë te këmbët e Jezus Krishtit, i cili thotë: “Unë jam rruga, e vërteta, dhe jeta.” Ka edhe më shumë. Zbulojeni.

Mërzia

Dhe çdo gjë që të bëni, bëjeni prej shpirtit, si për Zotin dhe jo për njerëzit.( Kolosianëve 3:23)

Dr. Ralph Byron, një doktor, tregoi se si një i ri shkoi tek ai me një problem. “Çdo gjë duket sikur është një mundim shumë i madh, unë jam përherë i lodhur,” – tha djali i ri. Ai filloi të hapte zemrën e tij. Ai tha se kishte dashur gjithmonë të bëhej doktor, por për shkak se në shkollë luante dhe kishte nota të dobëta, asnjë shkollë mjekësie nuk e pranonte. Rezultati ishte një i ri i pakënaqur me punën e tij, përherë i lodhur dhe i mërzitur nga jeta.

Shumë njerëz janë në të njëjtën situatë—plotësisht të mërzitur nga jeta. Ju mund të jeni një prej tyre—indiferent, të pa interesuar, dhe thjesht të mërzitur. Dr. Byron kishte disa fjalë të mençura këshillimi. Ai tha: “Secili prej nesh ka detyra të caktuara, punë dhe detyrime. Shumica prej këtyre nuk janë nga ato lloj punësh që do t’i zgjidhnim për qejf.” Por vini re kundërhelmin e Dr. Byron’s për mërzinë–“Filloni të gjeneroni pak entuziazëm për atë që bëni.” Si mund ta bëni këtë?

Një nga njerëzit më të shquar që kam pasur privilegjin të njoh është Dr. Henrietta Mears. Ajo e mbante veten si një nga mësuesit më të mire bashkëkohorë të krishterë të shekullit të 20-të, dhe fusha e saj ishte entuziazmimi. Miqtë i referoheshin asaj si “Numër një në Entuziazëm Publik.” Nuk do ta harroj kurrë atë pasdite që takova atë. Sapo kisha marrë një diplomë masteri dhe kisha disa javë të lira për t’u bërë hija e saj para se të pranoja një pozicion në një kishë.

Sekretarja e saj më futi brenda dhe ajo më tha plot energji: “Ulu, djalosh. Në dy orët e ardhshme do të mësosh rreth edukatës së krishterë më shumë nga sa keni mësuar gjatë gjithë kësaj kohe në shkollë.” Kjo ishte gjëja e parë. Ajo filloi të fliste, duke më treguar për dashurinë e saj të parë, Jezus Krishtin. Atë pasdite mësova diçka që është më e rëndësishme se çdo gjë që bota akademike mund të mësojë—nëse nuk keni entuziazëm ju nuk do ta kuptoni kurrë të gjithë mesazhin tuaj.

A e keni të vështirë t’i bëni gjërat me entuziazëm? Mbani mend atë që tha Pali: ” Dhe çdo gjë që të bëni, bëjeni prej shpirtit, si për Zotin dhe jo për njerëzit” (Kolosianëve 3:23). Në sytë e Perëndisë, puna e vogël që keni para është po aq e rëndësishme sa ato të mëdhatë. Bëjeni punën tuaj sikur të ishit duke e bërë drejtpërdrejtë për Perëndinë. E vetmja mënyrë që e bën këtë të mundur, është që ju t’i nënshtroheni Jezus Krishtit, duke parë përtej asaj pune të rëndë që ju nuk e pëlqeni drejt Atij që ju ka dhënë një thirrje më të lartë.

Më pas, lutuni që Zoti t’ju ndihmojë t’i bindeni këshillës së Palit. Jini të hapur dhe të sinqertë me Perëndinë. Thuajini Atij që ju thjesht jeni të mërzitur nga jeta dhe se doni të ndryshoni qëndrim. Shumë herë kam parë ndryshimin e konceptit për jetën të personave kur ata kanë kuptuar se puna e tyre mund të bëhej për lavdinë e Perëndisë. Një mekanik i ri e urrente punën e tij, por kur ai kuptoi se Perëndia donte që ai të rregullonte çdo makinë me aq interes sikur atë do ta ngiste Apostulli Pal, ai papritur pati një interes të ri në punën e tij. Kjo ndryshoi mendimin e tij për jetën.

Mërzitja apo entuziazmi—kjo varet nga ju. Ka një ylber në qiell për atë njeri i cili ngrin sytë nga balta dhe vë re diellin pas reve. Jo më kot Bibla thekson se ne duhet të bëjmë çdo gjë si për Zotin. Perëndia nuk dëshiron kurrë mërzinë për ata që i besojnë Atij.

 

Shpresë

Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë. (Psalmi 52:9)

Dr. Karl Menninger, një psikiatër me famë, ishte i intriguar nga ndjenja e shpresës. Shumë studime janë bërë për rëndësinë e dashurisë dhe besimit; por si një psikiatër, Dr. Menninger ishte i bindur se shpresa kishte një rëndësi shumë të madhe për mbijetesën. Shpresa është cilësia e qëndrueshme e shpirtit që na jep shpresë për të jetuar dhe për të përballuar errësirën.

Disa kohë më parë bota priste duke mbajtur frymën për fjalë se një grup minatorësh, të bllokuar në një minierë qymyri në Pensilvaninë Lindore, kishin mbijetuar. Dukej se nuk kishte shpresë për sigurinë e këtyre burrave, edhe pse operacionet e shpëtimit vazhduan punën të palodhur. Brenda minierës, edhe burrat e bllokuar filluan të pyesnin veten nëse kishte ndonjë mundësi për të shpëtuar. Për disa ditë ata përgjonin te trarët, pastaj ata po përpiqeshin me çdo qelizë të trupit të tyre për të dëgjuar ndonjë zhurmë për të ditur se shpëtimi ishte afër. Ndërsa ata dëgjonin, i erdhi pyetja: A ka ndonjë shpresë?

Shpresa është jetësore për ekzistencën e njerëzimit. Luftërat e zymta që bota jonë ka hasur kanë provuar padyshim se një person mund të durojë rrethana pothuajse të pamundura nëse ai ose ajo ka shpresë. Njerëzit u kanë mbijetuar tmerreve të kampeve të përqëndrimit, brejtjes nga uria, dhe vuajtjeve nga torturat, kur kanë shpresuar se do të mbijetonin.

Çdo kapelan spitali do t’ju thotë se shpresa është sekreti i mbijetesës, nëse një person shpreson se do të mbijetojë, ai mund të durojë çdo vuajtje. Një person mund të përballojë një sëmundje kur nuk ka shanse për shërim, por nëse ka shpresë, individi do të vazhdojë të luftojë. Shpesh shpresa është ilaç më i mirë sesa antibiotiku më i fortë. Është një shtyllë e papërshkrueshme për shpirtrat e njerëzve. Ajo sjell jetë kur vdekja duket e pashmangshme.

Mjaft interesante, ky fakt është vërtetuar shkencërisht në qendrën e kërkimeve Johns Hopkins. Dr. Curt Richter, duke drejtuar një studim psikobiologjik, thotë se kur minjtë u vunë në një situate të pashpresë ata u dorëzuan dhe ngordhën edhe pse kishin ushqim edhe ujë. Kur tipari i pashpresë u hoq, kafshët luftuan për të mbijetuar dhe mbijetuan.

Dr. Charles Malik, ish-kreu i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se shpresa për një botë që është në krizë varet nga gjërat në të cilat besojmë. Një njeri i cili përballet me një operacion e bazon shpresën e tij për mbijetesë në besimin që ka te kirurgu. Një burrë që përballet me agoninë e luftës i përgjigjet dashurisë së gruas së tij që është duke pritur për të. Ai ka shpresë, sepse ai e ka dashurinë e saj.

Ligji i shpresës vepron njësoj edhe për besimtarët. Një person që i beson Krishtit si Shpëtimtarit të tij personal ka një shpresë të qëndrueshme për jetën e përjetshme që nuk do të dështojë kurrë. Autori i librit të Hebrenjve, në Testamentin e Ri, e përshkruan këtë shpresë si “një spirancë e sigurt dhe e patundur” (Hebrenjve 6:19). Ai tha se ne mund të gjejmë strehim dhe të kapemi pas shpresës që është para nesh. Kjo shpresë është Jezusi, i cili ka siguruar shpëtimin për ata që i besojnë Atij.

Dëshpërimi është e kundërta e shpresës, sepse kur dikush nuk sheh asnjë zgjidhje të mundshme, atëherë ai ose ajo e humbet shpresën për jetën. Ju mund ta gjeni veten të mbërthyer në dëshpërim –jeta juaj mund të duket e pashpresë—por Jezusi thotë: ” Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë “ (Gjoni 6:37). Thirrini Atij dhe lejojeni t’i japë jetë dhe shpresë zemrës tuaj.

 

 

Në çfarë dite të javës po jetoni?

Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe kotësi, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.” (Psalmi 90:10)

Philip Larkin, një emër shpesh i panjohur në shumë skaje të botës, ishte një nga poetët më të shquar të shekullit të 20-të. Një individ i ndërlikuar, shkrimet e të cilit shpeshherë janë të errëta dhe të parashikuara, Larkin shkroi një letër në 13 Prill, 1976 për Kingsley Amis, një ish-shok klase. Në atë kohë, Larkin ishte 53 vjeç. Duke kujtuar fjalët e Moisiut, i cili tha: “Gjatësia e ditëve tona është 70 vjet,” ai shkroi: “Nëse barazojmë shtatë dekadat e jetës së një njeriu me shtatë ditët e javës, na del se arrijmë të jetojmë deri të Premten në drekë.”

Larkin kishte një mendim të ri për krahasimin e 70 viteve të jetës së një njeriu me shtatë ditët e javës. Kjo do të thotë se ju keni lindur në 12:01 të paradites të së Hënës dhe e mbaroni javën në orën 12:00 të mesnatës të së Dielës. Nëse jeni 30 vjeç, për ju është e mërkurë. Nëse jeni 50 vjeç, për ju është e premte. Pastaj fillova të mendoj personalisht për këtë. Duke u bazuar në një javë shtatë ditore, kuptova se unë kisha lindur në Denver të Kolorados mëngjesin e ditës së Hënë, njoha gruan time dhe u martova të mërkurën në mëngjes, dhe të mërkurën në darkë u shpërngula në Filipine.

Pastaj fillova të mendoj se ku jam unë tani në lidhje me atë që shkroi Larkin. E pranoj, isha pak i tronditur, madje edhe pak i shqetësuar duke menduar se edhe pak edhe isha jashtë nga lista. Jo, unë nuk kam frikë të vdes, por pranoj që kam një frymë të përafërme me Mark Twain, i cili tha se do të donte ta dinte se ku do të vdiste që të mos i afrohej kurrë atij vendi.

Sigurisht që ne nuk e dimë se kur java shkurtohet, ose si disa të tjerë të cilët jetojnë më shumë se 70 dhe ia dalin të jetojnë edhe të hënën dhe të martën e javës së dytë. Nuk është çudi që Moisiu shtoi: “  Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.” (Psalmi 90:12)

Çfarë kishte Moisiu në mendje kur foli rreth urtësisë së zemrës? Ka gjithnjë urtësi në përgatitjen e një udhëtimi. Në planet e udhëtimit tuaj përfshihet mënyra se si do të shkoni atje dhe ku do të qëndroni kur të mbërrini.

Jezusi qortoi një pasanik i cili mbante këtë qëndrim: “Unë do të ndërtoj hambarë më të mëdhenj dhe do të zhvilloj biznesin më shumë,” kur ai nuk e dinte se do të goditej në mesnatë. Jezusi e quajti atë budalla.

E vërteta është se udhëtimi i jetës mbaron shumë shpejt. Për disa mund të mbarojë të mërkurën, kur ata janë 30 vjeç. Për disa më vonë, por në fund ne përballemi me Perëndinë.

Philip Larkin e krahasoi jetën e një njeriu me një periudhë shtatë ditore, ai kurrë nuk arriti të shkonte deri në fund të javës së tij, sepse vdiq në moshën 63 vjeçare nga kanceri.

Kam dy pyetje ndërsa përmbyll komentin e sotëm: Në cilën ditë të javës jeni ju? Dhe së dyti, çfarë planesh keni për pjesën tjetër të javës, duke përfshirë rezervimin për një shtëpi të përjetshme në parajsë në fund të udhëtimit të jetës? Mendoni për këtë!

Koha e Tij

Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.  (Psalmi 116:15)

Me kancerin që po i konsumonte mushkëritë dhe kockat e tij, David Prueit, në atë kohë 42 vjeç, humbi shpresën se jeta do të kishte ndonjëherë vlerë të jetohej. Një ditë rrjedha e jetës së tij ndryshoi, pasi kishte pirë një grusht me ilaçe. Ai kishte vendosur  të vriste veten.

Brenda disa minutash ai ra në gjumë. Gruaja e tij, Linda shihte ulje ngritjet e kraharorit të tij duke menduar se do të humbiste vetëdijen, pastaj do të ndalonte së marri frymë. Por nuk shkoi

kështu. Për tre ditë ai ishte në një gjendje gjumi, ku ishte gjysmë i vetëdijshëm. Pastaj papritur ai u zgjua. “Çfarë ndodhi?” e pyeti ai Lindën, duke shtuar: “Pse nuk kam vdekur?”

Davidi, një ish-sharrëxhi, ishte shumë i fortë për të vdekur nga një grusht ilaçesh. Ai i tha gruas së tij se ndërsa ishte i pavetëdijshëm ai kishte qenë në prezencën e Perëndisë dhe Perëndia i kishte thënë atij: “Kjo nuk është mënyra për të shkuar në parajsë.” Si e kuptoni ju dëshminë e dikujt që thotë: “Zoti më tha këtë!”?

A po thoshte Zoti: “Të marrësh çështjet e jetës dhe vdekjes në duart e tua nuk është mënyra për të shkuar në parajsë sepse unë kam një vullnet për sa i takon kohës dhe mënyrës se si do të vish në shtëpi”? Duket sikur ishte ky mesazhi. Për një gjë mund të jeni të sigurt. Vdekja nuk është një çështje e indiferencës me Perëndinë. Psalmisti shkroi: “Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.” (Psalmi 116:15).

Vetëvrasja është si  të thuash: “Zot, hiri yt nuk më mjafton, forca jote nuk është e mjaftueshme, dhe mëshira jote nuk mjafton që të duroj kohët e vështira duke pritur për kohën tënde.”

A mjafton hiri i Perëndisë vetëm për kohët e mira, kur jeni të shëndetshëm dhe nuk keni nevoja që ju shqetësojnë? Apo mjafton që të ecë me ju në kohë të vështira dhe t’ju çojë përmes luginash në dritën e prezencës së Tij?  para të premtes në orën 10-të”? Sigurisht, kështu do të ndodSupozoni se kishit një takim me mbretëreshën Elizabet, dhe keni shkuar në Londër, plot pritshmëri dhe emocione. Takimi juaj ishte të premten në orën 10 të mëngjesit, por ju nuk mund të prisnit. Kështu që, të martën ju shkuat në portat e pallatit mbretëror dhe i valëvitët ftesën rojës, duke mbuluar datën me gisht, shkoni pas tij  të  takoni mbretëreshën. Ajo do t’ju shihte dhe do t’ju thoshte: “Nuk ju prisja. Ju nuk duhet të vinit. Sigurisht,  kështu do të ndodhte  edhe me Atin tonë në qiell.

Libri i Hebrenjve në Testamentin e Ri flet për vdekjen si një takim që do të kemi, si diçka që ka një kohë të caktuar dhe që është plotësisht në duart e Perëndisë.

Marrja e gjërave në duart tuaja është në kundërshtim me atë që do Perëndia. Është si të thuash: “Jam i aftë të marr vendime për veten pavarësisht se si është vullneti yt.” Perëndia nuk është mospërfillës ndaj dhimbjes tuaj, vetmisë apo vuajtjeve. Kur Jezusi u kryqëzua nga duart e ushtarëve romakë, shumë mirë Ai mund të tundohej të thoshte: “Pse duhet t’i duroj të gjitha këto? Mjaft kam vuajtur,” dhe të thërriste engjëjt e Tij për ta çliruar. Por në vend të kësaj, Ai duroi poshtërimin dhe dhimbjet duke zgjedhur të triumfonte mbi to që ne të kuptojmë se Ai e di dhe na kupton kur edhe ne jemi duke kaluar vështirësi.

Mendoj se David Pruiett e kishte kuptuar mirë: nuk ishte mënyra për të shkuar në parajsë. Koha jonë është në duart e Tij, dhe në kohën e Tij Ai do të na çojë në lavdinë e prezencës së Tij kështu që ne mund të gëzohemi pa frikë. Koha e Tij është gjithmonë më e mira. Mos e harroni këtë.

Kuptimi i jetës

Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.(2 Timoteut 4:7)

“Jetoni-Dashuroni-Shijoni!”– lexon një reklamë për një agjenci funeralesh, me shënimin poshtë saj: “Ne do të presim.” Kur e pashë, mesazhi më bëri të mendohem. Mendova me vete: “A nuk është kjo ajo që përpiqen të bëjnë njerëzit? Shumë njerëz e kalojnë jetën e tyre në kërkim të lumturisë, të bashkëshortit të duhur, të punës së duhur, miqve, të ndjenjave të mira për veten dhe mjaftueshëm para për të pasur gjithçka që duan.

Shpesh kërkimi i tyre për lumturinë përfundon në dëshpërim dhe cinizëm. Përfundimi që ata arrijnë nga i gjithë kërkimi është pak a shumë i njëjtë me atë të thënë nga Salomoni, i cili kishte dy gra,  pasuri, famë dhe sërish tha: “Kotësi e kotësive! Gjithçka është kotësi.” Çfarëdo qoftë ajo që e bën jetën të vlefshme i përjashton këto gjëra.

Nëse Biri i Perëndisë erdhi për një qëllim, dhe vdekja e Tij nuk ishte më kot, atëherë duhet të ketë më tepër në jetë sesa thjesht të jetosh, të duash dhe të shijosh. Duhet të ketë një qëllim për të cilin të jetosh, një arsye për ekzistencën tënde dhe një përgjigje për kërkimin e zemrës suaj. Për të jetuar, për të dashuruar dhe për të shijuar me të vërtetë, ju keni nevojë për tre gjëra, asnjëra prej të cilave nuk mund të blihet me para ose pushtet: një ndjenjë qartësie, të pasurit një qëllim dhe një arsye për t’u fuqizuar. Ju jeni të formuar nga trupi, shpirti dhe fryma, emocionet, mishi dhe një natyrë frymërore.

Le të nisim me ndjenjën e qartësisë. Kur doni të gjeni kuptimin e një fjale, ose doni të dini se çfarë do të thotë një term i caktuar, ju hapni fjalorin. Por ku shkoni ju kur doni të dini qëllimin e jetës suaj? Në psikoterapi? Shkoni te psikologja? Në një laborator shkencor? Te feja? Jo, as feja nuk mund t’ju japë një përkufizim për jetën dhe se çfarë e bën atë t’ia vlejë. Hapni Biblën. Vetëm ajo i përgjigjet pyetjeve të rëndësishme për jetën. Të tilla si? Pyetjeve të tilla si: “Kush jam unë?” dhe “Pse jam këtu?” Vetëm kur të keni gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, do të gjeni qëllimin e jetës dhe ekzistencës.

Duke iu përgjigjur këtyre dy pyetjeve Bibla thotë se ju nuk jeni një kafshë, por një person, një individ, një qenie unike e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ndryshe nga kafshët, ju dashuroni, keni emocione, ndjeni, dhe si një njeri me inteligjencë, vullnet, dhe shpirt njerëzor, ju do të jetoni përgjithmonë. “Pluhuri në pluhur dhe hiri në hi” nuk zbatohet për ju, kjo është arsyeja pse zemra juaj kërkon të njohë Perëndinë dhe të dijë se ju jeni fëmijët e Tij.

Pranojeni; pyetja se çfarë e bën jetën me vlerë për t’u jetuar është një provë e natyrës frymërore e cila do të ketë një marrëdhënie me Perëndinë.

Po pyetja e dytë: “Pse jam këtu?” A është e rëndësishme? Shumë e rëndësishme. Bibla thotë se lindja juaj nuk ishte një rastësi, një evolucion i rastësishëm. Nuk jeni as një “gabim” siç pohoi një grua, duke thënë se nëna e saj provoi ta abortonte atë duke qenë se e kishte ngjizur jashtë martesës dhe se ajo nuk duhet të kishte lindur.

Bibla thotë se çdo njeri është i rëndësishëm në sytë e Perëndisë, që Ai ju do personalisht dhe se do t’i përgjigjet të qarës së zemrës tuaj. Të dini se jeni të rëndësishëm dhe të çmuar në sytë e Perëndisë ju ndihmon të kuptoni jetën, dhe vetëm kur të jeni të ndërgjegjshëm për qëllimin e Perëndisë për jetën tuaj, do të ndiheni të mbushur, gjë e cila ju bën të mundur të jetoni, dashuroni, dhe të shijoni botën tuaj, miqtë, fëmijët dhe fqinjët tuaj.

Vetëm Zoti ju jep fuqinë për të jetuar një jetë të suksesshme, për të cilën kur të ktheni kokën pas të mund të thoni ashtu si tha Pali: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.” (2 Timoteut 4:7)

 Page 3 of 4 « 1  2  3  4 »