Rreth autorit Edea Demaliaj
Edea Demaliaj e ka nisur karrierën e saj,që në moshë të vogël. Muzika dhe skena e kanë shoqëruar atë përgjatë gjithë viteve të jetës së saj. Hera e parë kur ajo preku skenën ishte në moshën tre vjeçare, duke kënduar dhe që nga ai moment ajo ka qenë e lidhur shumë fort me muzikën. Të qenit vajza e një kantautori të famshëm të muzikës shqiptare e ka bërë atë të rritej në një ambient plotë muzikë. Zëri i saj, për herë të parë ka mrekulluar në një festë Krishtlindjeje, të organizuar me fëmijë të kishave të ndryshme të Tiranës. Aty, ajo ka kënduar këngën “Natë e Shenjtë,Natë e qetë”, në një dramë të përgatitur nga fëmijët e kishës së saj. Nuk do ishte ky i vetmi moment për të, për të shfaqur talentin e saj. Që në fëmijëri, ajo vazhdoi të ngjiste shkallët e karrierës së saj. Edea filloi të këndonte këngë të ndryshme për fëmijë dhe u kthye në një nga zërat më të pëlqyer, duke bekuar shumë njerëz dhe moshatarë të saj, me dhuntinë që Perendia i kishte dhënë. Si një fëmijë i talentuar, ajo ka rrëmbyer që e vogël çmime, me këngë të ndryshme nëpër festivalet, ku këmba e saj ka shkelur. Çmimi i parë në festivalin e fëmijëve në Maqedoni, në Shkodër mori çmimin “Inva Mula” dhe ka qenë pretendente për të fituar përsëri një tjetër çmim, në programin për fëmijë “ Një këngë për ty”, por nuk arriti dot të renditej e para. “Muzika dhe skena kanë qenë në një moment të jetës sime që i kam ditur ç’farë janë ose i kam njohur sepse që kur kam qën e vogel unë jetoja me atë jo për shkak se këndoja vetë por prindërit e mi kishin një jetë shumë aktive në skenë” – ka thënë Edea.
Ajo është rritur në një familje, ku arti ka qenë dhe mbetet i mirëpritur. Prozhektorët e skenës dhe magjia e saj e tërhoqën Edean e talentuar të bëhej pjesë e saj, që një ditë ajo skenë e madhe do e bënte dhe atë një këngëtare të madhe. Kënga e saj e parë, që e identifikoi Edean si këngëtare ishte “Unë dhe Engjëlli”,të cilën e kishte realizuar babai i saj, kantautori Gent Demaliaj. Edea na tregon një copëz histori,se si është realizuar kjo këngë: “Unë dhe engjëlli” është një këngë që e ka realizuar babai im dhe kur më tha kjo këngë është realizuar për ty, për mua ishte e çuditshme, sepse shpesh jam mësuar t’i bëj vetë këngët e mia. Në fillim nuk doja ta këndoja, por më pas ajo këngë u bë e imja.“ Edea gjithmonë arrin atë që i ka vënë synim vetes dhe nga këngëtare Edea vjen edhe si kantautore me këngën “Për ty”. Me këtë këngë, Edea është përfaqësuar në festivalin e parë të muzikës së krishterë bashkëkohore në Shqipëri “Worship Fest”.
“Këngën kishte pothuaj dy vite, që e kisha shkruar dhe kisha bërë vijën melodike, e kisha krijuar në mendjen time, se çfarë doja të realizoja. Unë nuk doja vetëm një këngë për ta lavdëruar Zotin, sepse ka shumë këngë të tilla, por doja një këngë, që të tregonte vërtetë marrëdhënien tonë me Zotin. Kënga është një lutje që çdokush i bën Zotit, sepse marrëdhënia jonë më e afërt me Zotin është përmes lutjes, prandaj edhe unë e realizova tekstin e kësaj kënge në formën e një lutjeje. Kënga ka të bëjë me pendimin, ose më shumë me një lutje shpëtimi. Për secilin nga ne ka momente në jetë, që rrëzohemi dhe kjo këngë na bën të reflektojmë më shumë” – ka thënë Edea.