Kur romakët e dëbuan apostullin Gjon për në ishullin e Patmosit, duhet të kenë pasur në mendje se ai së shpejti do të harrohej dhe ndikimi i tij do të zhdukej përgjithmonë. Pastori Jack Hayford theksoi, “Një ishull i vogël malor me tokë shkëmbore në Detin Egje, Patmosi ishte një mister në të cilin njerëzit që u dërguan atje, nuk u kthyen kurrë…. Por Zoti kishte ide të tjera.”
Dikur një komunitet grek i lulëzuar, Patmosi ishte në rënie dhe ishulli përdorej si vend dëbimi për kriminelët dhe ngatërrestarët.
Sot Patmosi është një pikë turistike. Pjesa më e madhe e zhvillimit të saj mund t’i atribuohet faktit që turistët duan të shohin vendin ku ishte Gjoni kur shkroi librin e fundit të Dhiatës së Re, Librin e Zbulesës. Në vendin më të humbur Perëndia ia zbuloi veten Gjonit në një mënyrë të mrekullueshme.
Nëse jeni në një situatë të vështirë për ta kuptuar, dhe jeni duke pyetur veten nëse Zoti ju ka harruar, merrni shpresë. Ndoshta jeni konsumuar duke u kujdesur për dikë me aftësi të kufizuara dhe as që e ka idenë se kush jeni. Ose ndoshta ju është dashur të ndërprisni mësimet e ndonjë studimi biblik që u jepte shumë gëzim, ose ndoshta ndiheni si të internuar në një punë që e urreni, por nuk mund ta lini sepse keni nevojë për para. Popullit të Tij Ai i tha: “Mbaji mend këto gjëra, o Jakob, o Izrael, sepse ti je shërbëtori im; unë të kam formuar, ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.” (Isaia 44:21).
Cilido qoftë “Patmosi” juaj, kujtoni se për aq kohë sa jeni në atë vend Perëndia ju ka para syve të Tij. Një ditë Ai do të derdhë bekime mbi ju.