Respekt do të thotë që të nderosh njerëzit e tjerë dhe t’i trajtosh ata me kujdes dhe me mirësjellje. Ai qëndron në besimin se njerëzit e tjerë vlejnë dhe kanë po aq dinjitet sa ke edhe ti,e të lëndosh të tjerët është diçka e gabuar. Fëmijët kanë nevojë të mësojnë se ndjenjat, qofshin këto edhe ndjenja të forta duhet të shprehen në një mënyrë të respektueshme.
1. Mbështeti ata
Edhe fëmijët e vegjël meritojnë respekt. Të respektosh fëmijën do të thotë që mos ta ulësh moralisht e as të thuash gjëra negative për të, sepse nëse do t’i thuash, gjasat janë që ai të bëhet ashtu. Fëmijët të cilët rriten në familje që i mbështesin, kanë më shumë gjasa që të zhvillojnë respekt për veten e tyre, e kjo i inkurajon ata që të besojnë në aftësitë e tyre, e të bëjnë zgjedhje të mira për veten .
2.Respekti mësohet
Fëmijët nuk kanë lindur me aftësinë për të qenë të respektueshëm. Ata e mësojnë respektin prej prindërve dhe personave të tjerë të rëndësishëm në jetën e tyre, nëpërmjet imitimit dhe mësimit direkt të asaj që shohin. Ti mund t’u mësosh se është e gabuar që të godasin apo të rrëmbejnë diçka, e se nuk lejohen ulërimat që ndërpresin babin e mamin teksa bisedojnë. Ata i mësojnë të tilla gjëra nga pak, teksa prindërit qëndrojnë të patundur mbi rregullat që vënë, por njëkohësisht nuk zemërohen. Thjesht thuaj “ Mos ulërit. Të lutem fol me zë të ulët”. Gjithashtu tregoju atyre mirësi dhe empati. Nga këto leksione të hershme, respekti për njerëzit e tjerë do të rritet.
3.Vendos rregulla dhe kufizime
Rregullat janë thelbësore për fëmijët që ata të kontrollojnë impulset e tyre. Rregullat e familjes mund të përfshijnë: mos t’u flasësh prindërve në emër, mos të përdorësh fjalë të pahijshme, të dëgjosh atë çfarë të tjerët kanë për të të thënë, mos të përdorësh gjërat e vëllait apo motrës tënde pa i pyetur më parë, e të gjesh një mënyrë të sjellshme për t’u thënë të tjerëve se po bezdiseni nga diçka që ata po bëjnë. Sigurohuni që ata të përballen me pasojat kur thyejnë rregullat, ndryshe ato nuk do të kenë kuptim. Po ashtu, përgëzoni fëmijën tuaj kur ai ndjek një rregull që ju keni vendosur.
4.Praktiko sjelljet e mira
Mirësjellja është njësoj si balsami që ndihmon gjërat që të zbuten më lehtë. I mbani mend “fjalët magjike” të lutem dhe faleminderit? Mbase do të pëlqente t’i mësoje fëmijës tënd edhe fjalët “ A mundem,” “ më falni” dhe “më vjen keq.” Këto fraza janë shprehitë e mirësisë , që ndihmojnë fëmijët të ndërtojnë marrëdhënie dhe të ndërveprojnë me të tjerët. Sjellja e duhur në tavolinë, është gjithashtu një formë respekti ndaj të tjerëve. Filloni t’u mësoni fëmijëve tuaj rregullat e tavolinës, por bëjeni këtë një eksperiencë argëtuese e mos u tregoni të zemëruar ndaj tyre.
Mesime shume te cmuara! Faleminderit!
Faleminderit Alma që na ke shkruar. Shpresojmë t’ju vijmë sadopak në ndihmë.