Lexo: Mateu 25:14-29newspapers--1040cs081312

Duke hyrë në kuzhinë me Albanin, Klesti tha: “Po kjo nuk është e drejtë. Unë jam vëllai yt!”.

Nëna ngriti kokën dhe pyeti: “Për çfarë po diskutoni ju të dy?”.

I mërzitur Klesti nisi të thoshte: “Albani i kërkoi dikujt tjetër për ta zëvendësuar në shpërndarjen e gazetave gjatë kohës që do të jetë në kamp me kishën. Ai mund të ma kishte kërkuar mua këtë sepse e di që më duhen paratë. Por po tregohet kaq i…”.

Albani e ndërpreu duke thënë: “Ej! Para pak kohësh të kërkova të më ndihmoje. Unë të thashë t’i vendosje gazetat në verande në rast se binte shi. Por ti e kishe marrë me nxitim që të mbaroje dhe thjesht i hidhje në oborrin e shtëpisë, pa e vrarë fare mendjen se ku binin. Në fakt, ra shi dhe klientët e mi nuk mbetën të kënaqur.”.

Pas Albanit, nëna tha: “E mbaj mend kur Albani të paralajmëroi për klientët kur veranda e tyre laget. Nuk është çudi që ai nuk dëshiron të ta ofrojë më këtë përgjegjësi për shpërndarjen e gazetave për tre ditë rresht!”.

Klesti pa të vëllanë dhe duke u larguar murmuriti: “Unë mendoj se ai po tregohet i keq.”.

Gjatë kohës së lutjes në mbrëmje babai lexoi me zë kapitullin 25 të Ungjillit të Mateut. (Shikoni Shkrimin e ditës së sotme). Ai i pyeti djemtë: “Çfarë ndodhi me shërbëtorët që u kujdesën me besnikëri për gjërat për të cilat ishin përgjegjës?”.

Albani u përgjigj me shpejtësi: “Ata u shpërblyen.”. Babai pyeti sërish: “Po. Klesti, po me atë që nuk u tregua i përgjegjshëm çfarë ndodhi?”. “Ëëë, po ja…” – Klesti mendonte vetëm për faktin se sa i papërgjegjshëm ishte treguar me shpërndarjen e gazetave të Albanit. Më pas tha me hezitim: “U ndëshkua dhe… pastaj… pastaj iu mor edhe ajo pak që kishte.”.

Babai iu përgjigj: “Pikërisht kështu ndodhi. Është mirë që ta analizojmë veten dhe të shohim se si po merremi me përgjegjësitë tona. Jezusi dëshiron që gjithnjë të bëjmë më të mirën tonë me punët që na janë besuar, qoftë me detyrat e shtëpisë, me detyrat e punëdhënësit, detyrat në kishë dhe me çdo lloj detyre që na del përpara, duke e jetuar çdo ditë për Zotin.”.

Klesti tundi kokën dhe me vete mendoi: “Do të përmirësohem – më pas, ku i dihet, Albani do të më lejojë sërish që të shpërndaj gazeta. Nuk dua të përfundoj si shërbëtori i fundit në Bibël.”.

Po ti çfarë pune bën? A bën më të mirën me aftësinë tënde apo përpiqesh ta mbarosh punën sa më shpejt dhe sa më lehtë të mundesh? Mbase mendon se puna, që të është dhënë, është aq e vogël sa nuk ka rëndësi nëse e bën me kujdes ose jo. Por në fakt, ka rëndësi! Çfarëdo që të bësh, sado e vogël të jetë, duhet ta bësh në një mënyrë që t’i sjellë lavdi Perëndisë. Nëse je i besueshëm me gjërat e vogla, njerëzit do të të besojnë detyra më të mëdha dhe më të rëndësishme. Po ashtu, edhe Perëndia.

Bëj gjithnjë më të mirën tënde!

Fjalët e kujdesshme
Thjesht fëmijë

Komente

Momentalisht nuk ka komente për këtë program. Ke nderin të jesh komentuesi ynë i parë. Faleminderit!

Ju lutem, na shkruani nëse ky program ju ka ndihmuar.

* Adresa Jote e e-mailit do të mbahet sekret.
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>