Rreth June Hunt

June Hunt, është një autore, këngëtare, folëse radiofonike dhe themeluese e shërbesës së këshillimit të njohur në të gjithë botën “Shpresë për zemrën.” Puna që ka bërë gjatë gjithë jetës së saj është një kontribut i çmuar në fushën e këshillimit të krishterë.
Shërbesa ‘Shpresë për Zemrën’, të cilën ajo e themeloi në vitin 1986, ofron shpresë biblike dhe ndihmë praktike, trajnim për çështjet bashkohore në më shumë se 60 vende dhe në 6 kontinente.
Pas shumë vitesh mësimi dhe kërkimi, ajo krijoi kurrikulën e Këshillimit Përmes Biblës, duke trajtuar 100 tema të ndryshme mbështetur në shkrimet e Shenjta. Tema si Martesa, Prindërimi, Zemërimi, Varësitë, Depresioni, Stresi dhe Vetvrasja. Deri më sot ky këshillim ka ndihmuar me miliona njerëz të ndryshojnë mënyrën e të menduarit gjë që do t’i ndihmojë ata të jetojnë një jetë të drejtë.
Që prej vitit 2007, programet e June Hunt kanë ndikuar jetët e qindra mijëra shqiptarëve përmes këshillimit biblik dhe urtësisë së saj në trajtimin e temave delikate. Me qindra dëgjues kanë ndarë me ne dëshmitë se si kanë lejuar Fjalën e Perëndisë t’u ndryshojë jetën. Programe si Çelësi Im kanë qenë ndër më të ndjekurit në Radio 7 duke arritur rekord dëgjueshmërie.
June Hunt ka shkruar libra të panumërt, disa prej të cilëve janë përkthyer në gjuhën shqipe. Si, “Të shohësh veten përmes syve të Perëndisë”, “Seksi & Martesa”, “Puna dhe financat”, “Kultet” dhe libri “Fitore mbi Emocionet”.