Lexo:Romakëve 12:16-2

Te fillosh nga e para“Po ku kam gabuar kështu?” tha Diana me zë të lartë. Ajo shpërtheu në lot. “Këto shifra nuk dalin saktë. Nesër, kur të dorëzoj raportin e thesarit për klubin tonë, të gjithë do të mendojnë se jam e marrë dhe Natalia do të gëzohet shumë!”

Babai i largoi sytë nga letrat e tij. “Meqë ra fjala tek Natalia, nuk e kam parë së fundmi,” tha ai. “Pse do të gëzohej ajo me një gabim që ti ke bërë në raport? Unë mendova se ju të dyja ishit shoqe të ngushta.”

Diana hezitoi. “Po ja, ne… ne kemi pasur një lloj mosmarrëveshjeje,” u përgjigj ajo. “Të dyja donim të bëheshim arkëtare të thesarit të klubit. Anëtarët e klubit më zgjodhën mua, por ajo ende përpiqej të më tregonte se si ta bëja punën time. Në fund e informova që do t’i bëja gjërat ashtu si dija vet. Ajo më tha se ky do të ishte një gabim i madh. Që atëherë nuk i kemi folur më njëra-tjetrës.”

“Kjo është shumë keq,” tha babai ndërkohë që po kontrollonte me sy raportin e Dianës. Më pas ai tregoi me gisht disa shifra në fillim të fletës. “Mendoj se duhet të fillosh nga e para dhe me kujdes t’i shtosh sërish këto numra.”

Diana psherëtiu. “Në rregull, por nuk e kuptoj se si do të më ndihmojë kjo gjë,” tha ajo. “Unë kam përdorur makinën llogaritëse dhe shifrat nuk mund të jenë të gabuara, apo jo?”

Sidoqoftë, ajo iu fut punës dhe filloi të kontrollonte raportin. “E gjeta gabimin, babi!” thërriti ajo pas disa minutash. “Në fillim të kësaj kolone, në vend ta shtoja njërën prej shifrave, e kam zbritur.”

Babai tundi kokën. “E di, Diana?” tha ai. “Unë mendoj se do të ishte ide e mirë nëse do të filloje nga e para edhe me problemin që ke me Natalian.”

“Çfarë do të thuash?” pyeti Diana.

“Mendo për kohën kur filloi problemi juaj,” tha babai. “Ka ndonjë gjë që do ta kishe bërë ndryshe?

Duket sikur ju të dyja donit t’i bënit gjërat siç donit vetë, në mënyrë egoiste. Më pas e lënduat njëra-tjetrën duke përdorur fjalë të ashpra, apo jo? Kjo lloj sjelljeje nuk i pëlqen Perëndisë.” Diana heshti. “Dhe as nuk na bëri të ndiheshim mirë,” tha ajo në fund. “Të paktën mua jo. Nuk e di nëse ajo është mërzitur.” Babai vendosi krahun mbi Dianën. “Përse nuk shkon tek Natalia dhe t’i kërkosh të falur për mënyrën se si ke vepruar?” sugjeroi ai. “Dhe pse të mos e dëgjosh atë që ajo ka për të të thënë për punën e thesarit? Jam i sigurt që ajo ka disa ide mjaft të mira. Si thua?”

Pas një momenti Diana pohoi me kokë. “Mirë,” pranoi ajo me gjysmë zemre. Por buzëqeshi duke shtuar: “Mbase unë dhe Natalia mund ta bëjmë së bashku këtë punë!”

A ke dikë me të cilin ke pasur një mosmarrëveshje? Je i sigurt  që ka qenë vetëm faji i tij? Kërkoji Perëndisë të të tregojë ku ke vepruar gabim, më pas shko tek personi dhe bisedo; kërko të falur nëse do të jetë e nevojshme. Mos mbaj mëri të vjetra në vitin e ri. Një miqësi e restauruar do t’ju gëzojë të dyve ju. Mbi të gjitha, kjo gjë do ta kënaqë Perëndinë.

Restauro miqësitë!

 

 

Pendimi i vërtetë
Lidh një fjongo të verdhë

Komente

Momentalisht nuk ka komente për këtë program. Ke nderin të jesh komentuesi ynë i parë. Faleminderit!

Ju lutem, na shkruani nëse ky program ju ka ndihmuar.

* Adresa Jote e e-mailit do të mbahet sekret.
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>