Lexo: Efesianëve 5:15-21

 

“Ç’kemi, Keli.” Keli pa i trembur. Duke parë xhaxhanë e tij, ai e vendosi menjëherë pas shpinës revistën që po lexonte.

“Oh, xhaxhi Xhoi! Unë… unë nuk të pashë kur po vije,” tha Keli.

Xhaxha Xhoi ngriti vetullat. “E vura re. Thjesht erdha të të pyesja nëse do të të pëlqente të vije me mua të shihnim vendin ku po ndërtohet banka e re. Kam nevojë të bisedoj me kontraktuesin.”

“Oh, fantastike!” Keli kërceu përpjetë. “Sa t’i marr leje mamit.”

“I mora unë dhe tha se mund të vish.” Xhaxha Xhoi u kthye me shpinë. “Shkojmë, pra.”

“Mirë! Por unë… unë kam… unë kam etje,” tha Keli. Ai u fut në shtëpi me nxitim dhe fshehu revistën në dhomën e tij. Më pas ndaloi në kuzhinë për të pirë ujë. “Sidoqoftë, e thashë që kisha etje,” mendoi ai.

Kur ata mbërritën vendin ku po ndërtohej banka, Keli dhe xhaxhai i tij vendosën kaska. I habitur, Keli shihte burrat tek punonin lart mbi një kornizë çeliku të gjatë. “Uau!” thirri ai. “Kjo duket e frikshme!”

“Po, ashtu duket,” pohoi xhaxha Xhoi. “Nuk do të shohësh kurrë një punëtor çeliku që vrapon, që lëviz andej-këndej ose që bën ushtrime në punën e tij.” “Po, pra!” Keli shihte burrat mbi të. “Ata punëtorë çeliku atje duhet të tregojnë kujdes për çdo hap që hedhin,” tha xhaxha Xhoi. “Ata më kujtojnë një varg në Bibël që tregon se si duhet të ecë një i krishterë.”

“Ekziston një varg që e tregon këtë?” pyeti Keli i habitur. “Dhe çfarë thotë?”

“Vargu thotë: ‘Shikoni, pra, si të ecni me kujdes,’” u përgjigj xhaxha Xhoi. “Kjo do të thotë se duhet t’i marrim në konsideratë të gjitha rrethanat dhe pasojat e gjërave që bëjmë.”

“Më duket ide e mirë,” tha Keli.

“Po. Dhe pjesa e fundit e vargut thotë: ‘Jo si të marrët, por si të mençurit.’ Do të ishte marrëzi nëse ata punëtorë atje lart nuk do të ecnin me kujdes,” tha xhaxha Xhoi, “dhe është po aq marrëzi për të krishterët nëse nuk do të jetonin me kujdes.” Keli pohoi me kokë. “Ne duhet të përpiqemi ta kënaqim Perëndinë me çdo gjë që bëjmë, themi, lexojmë ose shohim,” shtoi xhaxha Xhoi.

Duke ulur sytë, Keli u ndje keq kur vuri re se xhaxhai i tij po e shihte nga afër. “Unë… unë e di për çfarë po mendon,” tha Keli. “Ti e pe atë që po lexoja, apo jo?” Ai psherëtiu. “Ty nuk mund të të fsheh asgjë.”

“Mua edhe mundet, por Perëndisë nuk mund t’ia fshehësh kurrë gjërat,” i kujtoi xhaxha Xhoi. Keli tundi kokën ngadalë. “Perëndisë nuk mund t’ia fshehësh kurrë gjërat,” përsëriti ati butësisht.

Si është ecja jote si i krishterë? A ecën me kujdes? Reagon shpejt dhe a bie dakord me çdo gjë që të sugjerojnë shokët e klasës? A shikon çdo gjë që jepet në televizor dhe a lexon çdo revistë apo libër që të ofrohet? Gjithçka që ti bën ka pasoja dhe ka ndikim në jetën tënde. Trego kujdes me hapat që hedh, me aktivitetet, me materialet që lexon, me zakonet, me gjuhën që përdor dhe me miqësitë. Mendo nëse çdo gjë që bën dhe thua e kënaq Perëndinë. Ec me urtësi, jo si i marrë.

Ec me kujdes dhe urtësi !

Dietistët
Besnik si një qen

Komente

Momentalisht nuk ka komente për këtë program. Ke nderin të jesh komentuesi ynë i parë. Faleminderit!

Ju lutem, na shkruani nëse ky program ju ka ndihmuar.

* Adresa Jote e e-mailit do të mbahet sekret.
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>