Nga Dr. Fatri Hatellari, mjek stomatolog në klinikën Happy Smile
Kërkimet shkencore të bëra në vende të ndryshme të botës tregojnë se shëndeti i mirë i gojës në fëmijëri luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e dhëmbëve dhe të mishrave të dhëmbëve. Në botë sot i kushtohet një rëndësi e veçantë higjenës së gojës tek fëmijët, por fatkeqësisht në Shqipëri vazhdojmë të kemi shumë mangësi në këtë fushë. Artikuj të ndryshëm që kam lexuar nga profesorë shqiptarë, por edhe në vitet e mia të punës si dentist më kanë treguar se prindërit shqiptarë në përgjithësi e neglizhojnë shëndetin e dhëmbëve të fëmijëve të tyre. Lind pyetja, “Cfarë mund të bëjë një prind që fëmija i tij të ketë shëndet të mirë të gojës? Si mund ti ndihmojmë fëmijët tanë që të kenë një buzëqeshje të bukur?
Pjesa më e madhe e fëmijëve lindin pa dhëmbë. Gjatë pesë viteve të para të jetës fëmijëve u dalin dhëmbët e njohur si dhëmbët e përkohshëm ose dhëmbët e qumështit. Dhëmbët e parë dalin gjatë moshës 6–12 muajsh. Në fëmijërinë e hershme prindërit duhet të numërojnë 16 dhëmbë dhe deri në moshën 3 vjeçare vogëlushi juaj duhet të ketë 20 dhëmbë.
Rreth moshës pesë ose gjashtë vjeç dhëmbët fillojnë të bien dhe në vend të tyre fillojnë të dalin dhëmbët e përhershëm. Gjithashtu në moshën 6 vjeçare del dhëmballa e parë e përhershme. Shpesh herë kjo dhëmballë ngatërrohet me dhëmbët e qumështit prandaj është e rëndësishme identifikimi i saj nga ana e prindërve dhe mjekimi nëse është e nevojshme. Në moshën 12–13 vjeç të gjithë dhëmbët e përkohshëm duhet të jenë zëvendesuar nga dhëmbët e përhershëm.
Pra, çfarë mund të bëni tani ju si prindër për të hedhur themelet e shëndetit të mirë të gojës për fëmijën tuaj? Më poshtë do të gjeni disa keshilla të thjeshta se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëni:
Nga lindja deri në tre vjeç:
- Kujdesuni për gingivat (mishrat e dhëmbëve) duke i kontrolluar herë pas here sepse nga gingiva të shëndetshme dalin dhëmbë të shëndetshëm!
- Lajini dhëmbët vetëm me furçë në fillim! Eshtë e rëndësishme që fëmijët të mësohen me furçën cdo ditë. Më vonë mund të provoni edhe pastën për fëmijë. Nuk do të jetë e lehtë në fillim por mos u dorëzoni! Gjëja më e rëndësishme është që fëmijët të familiarizohen me furçen e dhëmbëve.
- Mos e vini në gjumë fëmijën me biberonin me qumësht, lëng frutash ose ushqim të gatshëm (shfaqet i ashtuquajturi kariesi i biberonit)!
- Jepini fëmijës tuaj ujë midis vakteve!
- Prenotoni një vizitë tek dentisti rreth moshës 1 ose 2 vjec! Kjo do ta ndihmojë fëmijën që të mos ketë frikë nga dentisti.
Tre deri në pesë vjec:
- Vazhdoni të praktikoni larjen e dhëmbëve me fëmijët! Gjatë kësaj kohe mund ti mësoni që ti lajnë vetë dhëmbët.
- Filloni të përdorni nga pak pastën me përmbajtje fluori kur fëmija mëson të pështyjë!
- Vazhdoni ti jepni ujë midis vakteve dhe limitoni ushqimet e pasura me karbohidrate, pijet e ëmbla, karamelet dhe camcakëzat!
- Shkoni tek dentisti për kontrolle të rregullta (një herë në 6 muaj)!
Pesë deri në dymbëdhjetë vjec:
- Kujtojeni fëmijën të mos luajë me dhëmbët që i lëvizin me duar të palara!
- Kur fëmijës i bie një nga dhëmbët e qumështit shfrytëzojeni rastin për tu mësuar rëndësinë e përkujdesit për dhëmbin e ri që do t’u dalë në vend që të fokusoheni tek ai që ka rënë!
- Mos hiqni dorë nga kontrolli deri sa fëmijës ti bëhet zakon larja e dhëmbëve!
- Kujdesuni që fëmija juaj ti lajë dhëmbët dy herë në ditë!
- Kujdesuni që fëmija juaj të bëjë zgjedhjen e duhur në ushqim dhe pije!
- Kini kontakt të rregullt me dentistin! Përvec pastrimit, parandalimit dhe mbajtjes në kontroll të kavitetit gojor shumë dentistë mund të marrin masa parandaluese ortodentike në rastet kur nevojitet aparat për drejtimin e dhëmbëve.
Si prind, ju keni një rol kryesor në formimin e së ardhmes së fëmijës tuaj. Kjo përfshin dhe kujdesin për shëndetin e gojës. Me ndihmën tuaj, fëmija juaj mund të ketë dhëmbë dhe gingiva të shëndetshme dhe sigurisht një buzëqeshje që do ti bëjë ata të lumtur për pjesën e mbetur të jetës së tyre.