Lajmi Fundit
prev next

Besimi është i domosdoshëm kur stuhitë e jetës na mbështjellin dhe na lëndojnë. Nuk e vë në dyshim që edhe ju e keni përjetuar vështirësinë për të qëndruar ndërsa dallgët e ankthit dhe frikës kërcënojnë ta kthejnë përmbys varkën tonë të vogël, veçanërisht në këto kohë.

Mua më mjafton një ngacmim i stomakut dhe mbushem me frikë. Por së fundmi, era duket se ka filluar dhe dallgët e frikës që po kërcënojnë udhëtimin tim të paqtë duket se po vijnë të mëdha.

Jo, nuk mund të shkoni në kishë. Jo, nuk mund t’i çoni fëmijët në shkollë. Jo, nuk mund të jeni pranë miqve. Si the? Ky virus është si një tsunami që po shkatërron tregun e bursës, ekonominë, të ardhurat, jetën shoqërore, shpresat, ëndrrat, shëndetin, paqen, dyqanet, restorantet, kishat dhe gjithçka tjetër që i del përpara, me një goditje të vetme.

Nëse i shton kësaj edhe shqetësimet me të cilat kemi luftuar, atëherë kush është gati të pranojë humbjen?

Megjithëse shpresojmë që jeta të ecë vaj, nuk ndodh kështu. Përkundrazi, jeta është një luftë për besimin mbi frikën, paqen mbi ankthin dhe shpresën mes dyshimit.

Vazhdimisht rrethanat na mbysin dhe ne kërkojmë një fjalë nga Zoti. Të alarmuar thërrasim: “Zot, na ndihmo!”. Kjo nuk mund të jetë duke ndodhur. Dhe prapë ndodh. Por ja cili është lajmi i mirë: Ne nuk jemi të parët që luftojmë me frikën, dhe nuk do të jemi të fundit. Absolutisht që Perëndia ka diçka për të thënë për këtë.

Jezusi dërgon dishepujt

Te Marku 6 dishepujt shijuan 12 kosha të mbetur me bukë pasi Jezusi ushqeu në mënyrë të mrekullueshme një turmë prej 5 mijë vetash. Ishte një ditë e shënuar, prandaj ne ende flasim për të.

Më pas, Marku 6:45 na thotë: “Dhe menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta përcillte turmën.”.

Mbase njerëzit po prisnin të shihnin se çfarë do të bënte Jezusi tjetër. (Ose me çfarë mund të ushqeheshin tjetër. Më fal, por a ka ëmbëlsirë?) Sidoqoftë, në Ungjillin sipas Gjonit ne shohim një arsye tjetër për vonesën e turmës dhe nxitimin e Jezusit për të nisur dishepujt.

Te Gjoni 6:14-15 thuhet:

“Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: «Me të vërtetë, ky është profeti që duhet të vijë në botë». Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, fill i vetëm.”

Mesa duket turma ishte me më shumë perspektivë nga sa mund ta mendojmë. Por Jezusi nuk është i interesuar në një kryengritje politike, por në një kryengritje frymërore. Jezusi erdhi herën e parë jo për të marrë vendin që i takonte në fronin tokësor, por që të merrte vendin që i takonte në zemrat tona të lidhura pas kësaj toke.

Kështu, sa herë që njerëzit kishin uri për dominim politik, Jezusi largohej menjëherë. Këtë herë Ai i hipi dishepujt në barkë, mbase duke u premtuar se do t’i arrinte shumë shpejt, dhe shkoi në mal për t’u lutur.

Jezusi kërkon të zbulojë lavdinë e Tij

Dishepujt, pasi lundruan për disa orë, e gjetën veten “duke u munduar të vozitnin, sepse era ishte kundër tyre” (Marku 6:48). I imagjinoj ata të rraskapitur dhe të pezmatuar. Ah, pse duhet të jetë kaq e vështirë?

Më pas, diku midis orës 3 dhe 6 të mëngjesit dishepujt panë diçka. Jo, prit, ata panë dikë. Të tmerruar ata menduan se ishte një frymë ose një fantazmë, duke na dhënë idenë se çfarë po mendonin. Ata nuk po kërkonin që Jezusi të vinte dhe t’i ndihmonte. Ata thjesht po përpiqeshin t’ia dilnin mbanë me forcën e tyre. (Dhe tani dukej sikur po flasim për mua.)

Pasi u lut për disa orë, Jezusi, ende në breg, pa që dishepujt po luftonin, kilometra larg në errësirën e dendur, dhe vendosi që të ecte për të shkuar tek ata. Mos harroni, era ishte shumë e fortë. Jezusi nuk po ecte mbi xham. Aty ku kishte erë, kishte dhe dallgë.

Te Marku 6:48-48 na thuhet: “Aty nga roja e katërt e natës, ai erdhi drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t’i kalonte. Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin.”

Vini re që Jezusi synoi që të kalonte pranë tyre. Jo sepse nuk donte që ta shihnin apo sepse Ai nuk donte t’i ndihmonte. Jezusi synonte të ecte pranë tyre sepse donte që ata ta shihnin. Jezusi po kërkonte t’i shpaloste Veten dishepujve në një mënyrë mahnitëse, por për shkak të frikës së tyre, ata nuk e kuptuan.

Ku na thuhet tjetër në Shkrime që Perëndia kaloi pranë me qëllim që të shpaloste Veten e Tij? Eksodi 33, kur lavdia e Perëndisë kaloi para Moisiut. Dhe e gjeni dot? Është e njëjta fjalë që është përdorur te përkthimi në greqisht i Eksodit 33.

Jezusi kërkon të zbulojë emrin e Tij

Jezusi e pa këtë si një mundësi mjaft të mirë për të zbuluar lavdinë e Tij te dishepujt që kishin qenë duke luftuar për të kuptuar se Cili ishte Ai në të vërtetë (Marku 4:4). Te Jobi 9:8 thuhet që vetëm Perëndia mund të ecë mbi valët e detit. Pra, çfarë bëri Krishti? Ai eci mbi valët e detit. Por prapë dishepujt nuk arritën ta njihnin Atë për shkak të ankthit dhe frikës.

Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj. (Jobi 9:11)

A mund të ketë varg më të mirë se ky? Miqtë e mi, ja cila është e vërteta ku duhet të mbahemi: ndërkohë që frika na pengon që ta njohim Perëndinë, besimi bën të mundur që ta shohim Atë siç është.

Nëse jetojmë vazhdimisht në frikë dhe ankth, ka shumë mundësi që të humbasim atë që Perëndia po përpiqet të bëjë. Por nëse jetojmë me besim, nuk e vë në dyshim që ne do ta shohim Atë të bëjë gjëra madhështore.

Siç ishin të tmerruar, menjëherë Jezusi u foli dishepujve: “Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!” (Marku 6:50). “Jam unë!” (egō eimi) mund të përkthehet “Unë jam”, duke i bërë jehonë zbulesës së Perëndisë për Veten ndaj Moisiut te ferrishtja flakëruese.

Me fjalë të tjera, ndërsa qëndronte në ujëra të trazuar pranë tyre, Jezusi u tha dishepujve të trazuar dhe të frikësuar: “Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë.”. Dhe miqtë e mi, ky fakt nuk ka ndryshuar.

Jezusi tha: “Jam unë. Unë jam Shpëtimtari juaj. Unë jam paqja juaj. Unë jam shpresa juaj. Unë jam Perëndia juaj dhe nuk ka asnjë si Unë.”. Ne nuk kemi asnjë arsye për të qenë në ankth sepse Perëndia ynë është i Madhi Unë Jam. Edhe pse ujërat vazhdojnë të ngrihen dhe barka jonë e vogël po lëkundet, Ai është ende Perëndi.

Jezusi nuk do që të kemi frikë

Pasi Jezusi hipi në barkë me ta, era ndaloi dhe dishepujt u mrekulluan (v. 51). Më pas, kur ata dolën në breg, na jepet një krahasim interesant. Njerëzit e njohën menjëherë Jezusin dhe vrapuan të mblidhnin të sëmurët që gjenin.

Ndërsa dishepujt e Jezusit nuk e njohën Atë, njerëzit në breg e njohën.

Miqtë e mi, Perëndia nuk na fshihet. Ai dëshiron që ta njohim dhe të besojmë se Ai është i Madhi Unë jam. Sprovat dhe vështirësitë janë mundësia e përkryer për Perëndinë që të zbulojë lavdinë e Tij në mënyra që nuk i kemi parë kurrë, ndaj ne mund ta njohim më shumë Atë, t’i besojmë më shumë Atij dhe të dëshmojmë për mirësinë e Tij edhe më tepër.

Por kur ne jetojmë plot me frikë dhe jo me besim, plot me ankth dhe jo me pritshmëri, ekziston mundësia që të humbasim shpalosjen e lavdisë së Perëndisë, veçanërisht në kohën tonë në nevojë. Nuk e di për ju, por nuk dua ta humbas këtë. Dua ta njoh më shumë Perëndinë.

Pra, edhe kur ujërat ngrihen dhe ndihemi sikur kemi ngecur, kur ka shumë gjëra që kërcënojnë të na mbysin, le të zgjedhim sot t’i besojmë Perëndisë tonë të madh. Ne nuk kemi pse të kemi frikë. Përkundrazi, ne mund t’i kalojmë ditët tona duke e kërkuar Atë i Cili mund të jetë duke kërkuar një mundësi që të kalojë pranë nesh.

https://www.global7.tv/gods-word-to-those-battling-anxiety-and-fear/

Racizmi dhe Krishti
Çfarë thotë Ati për baballarët?

Comments.

Currently there are no comments related to this article. You have a special honor to be the first commenter. Thanks!

Leave a Reply.

* Your email address will not be published.
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

X