Covid-19, Coronavirus, Virus, Infection, Disease

Pandemia e Virusit Korona e njohur ndryshe edhe si Covid-19 ka krijuar një situatë tepër të vështirë në të gjithë botën, duke detyruar mbylljen e shkollave, kishave, restoranteve, bareve, si dhe çdo institucioni apo vendi pune ku grumbullohen njerëz. Numri i të infektuarëve sot në botë është me miliona, ndërsa i të vdekurve disa qindra mijëra.

Ndërkohë, shërbimet janë kaluar online, përfshirë edhe shërbesat kishtare. Në këtë situatë, një nga pyetjet që u shtruan nga të krishterët ishte: Çfarë do të ndodhte nëse njerëzit do ta konsideronin mëkatin si virusin korona?

Shumë vetë u përgjigjën se të gjithë njerëzit do të mbylleshin në karantinë, njësoj si në rastin e Covid-19. Por ajo që na tregon Bibla është diçka krejt tjetër.

Armiku i padukshëm – Covid-19

Një nga togfjalëshit më të përdorur për të identifikuar virusin korona është ‘armik i padukshëm’. Për të luftuar këtë armik të padukshëm, pra, qeveritë dhe OBSh sugjeruan karantiniminm mbylljen brenda nëpër shtëpi për t’u mbrojtur nga ky armik i padukshëm. Por të krishterët kanë 2020 vjet që luftojnë me armiq të padukshëm si tundimet dhe mëkati, kasnecët e Satanit. Në fakt, njerëzimi ka që prej rënies në Kopështin e Edenit që lufton me këta armiq të padukshëm.

“Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke”, Efesianëve 6:12.

I krishteri është që prej rënies në luftë me këtë armik të padukshëm, shumë herë më të rrezikshëm se koronavirusi, sepse lëndimet e këtij armiku i tejkalojnë dhimbjet dhe vdekjen fizike. Ky armik e dënon njeriun me një vdekje pafundësisht më të tmerrshme dhe është për t’ia pasur frikën më shumë se çdo armiku tjetër.

“Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena”, Mateu 10:28.

Misioni primar dhe zanafillor i këtij armiku të padukshëm është një dhe i vetëm: ta ndajë dhe ta mbajë njeriun larg Perëndisë. “Por Perëndia aq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos vdesë, por të ketë jetë të përjetshme”, Gjoni 3:16.

Virusi korona i ngujon njerëzit, mëkati i nxjerr ata jashtë

Jezus Krishti, Shpëtimtari i vetëm i njeriut, e vërteta e vetme e Perëndisë, rruga e vetme drejt Mbretërisë së Perëndisë, jeta e pasosur në prani të Shumëtëlartit, nuk na ka porositur në Fjalën e vetme të Perëndisë, Biblën, që besimtarët të futen në karantinë për t’i shpëtuar armikut të padukshëm.

Ai na ka ka dhënë një porosi të qartë

Mateu 28:19-20
Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen”.

Nëse virusi korona i ka detyruar njerëzit të karantinohen dhe të mbyllen pas dyerve të shtëpive, vetëdija mbi mëkatin i ka shtyn ata të dalin jashtë dhe ta ndajnë lajmin e mirë me të gjithë njerëzit. Sepse të gjithë njerëzit janë mëkatarë dhe kanë nevojë për një Shpëtimtar, dhe nuk ka tjetër që mund t’i shpëtojë veç Krishtit që dha jetën në kryq për mëkatet e njerëzimit dhe u ringjall ditën e tretë duke e mundur vdekjen.

Covid-19 ka krijuar distancimin social, mëkati i afron njerëzit

Jezusi i paralajmëroi dishepujt e tij se edhe pse do të ishte e rrezikshme për ta, ata duhej të ishin pranë njerëzve që nuk e kishin njohur Krishtin. Dishepujt duhej të ndanin me ta gjithçka që kishin marrë nga Krishti, edhe nëse kjo do t’u kushtonte atyre jetën, e në të vërtetë kjo u ndodhi shumë prej tyre. Ata nuk u distancuan nga njerëzit, por u bashkuan me ta, ndanë ungjillin me ta e madje dhanë edhe jetën për këtë.

Mateu 10:16 – “Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve”.

Vetëdija që ata ishin mëkatarë dhe që çdo paudhësi u ishte falur, i bën dishepujt e Krishtit edhe sot të mos rrinë brenda, të mos heshtin, por të dalin dhe të bërtasin fort lajmin e mirë të shpëtimit, edhe pse kjo mund t’ju sjellë atyre vdekjen. Sepse ata nuk e çmojnë jetën e përkohëshme në këtë botë, më shumë se atë të përjetshmen në prani dhe lavdi të Perëndisë.

Ndryshe nga Covid-19, dijenia për mëkatin nuk krijoi distancim social, por i bëri njerëzit të bashkoheshin me njëri-tjetrin dhe të ndanin gjithçka me njëri-tjetrin. Dijenia mbi mëkatin nuk i mbylli në karantinë dishepujt – ata morën porosi të dilnin jashë, të predikonin lajmin e mirë çdo kombi.

Romakëve 1 – “Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij.”

Nëse do ta konsideronim mëkatin siç konsiderojmë Covid-19 do të ishim mbyllur nëpër shtëpitë tona, nuk do të kishim krijuar bashkësi me njëri-tjerin, nuk do t’i kishim vizituar nevojtarët, nuk do t’u shkonim në ndihmë jetimëve dhe vejushave në shtrëngimet e tyre, nuk do të ndanim lajmin e mirë të shpëtimit me të tjerët duke i lënë ata në errësirë të plotë, nuk do të predikonim Krishtin dhe do të ishim të humbur një herë e përgjithmonë.

Covid-19 thotë, “futuni brenda”. Vetëdija rreth mëkatit bërtet: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë”, Mateu 3:4.

Burimi: Kisha Ungjillore Dishepujt

Qëndrimi është i rëndësishëm | Guidelines Ministries 

Comments.

Currently there are no comments related to this article. You have a special honor to be the first commenter. Thanks!

Leave a Reply.

* Your email address will not be published.
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

X