Intervistë Enea Uku (T-Light)

Enea Uku (T-Light)

  • Orgin
    Shqiptarë
  • Links
  • Genres
    Hip-Hop

Intervistë.

Muzika për të dhe grupin Emanuel -Boys ka qenë një frymëzim i ardhur nga Perëndia. Përkushtimi i madh në jetën e tij dhe talenti për muzikën e ka çuar të ecë përpara Enea Ukun (T-Light) . Sfida të shumta në muzikë por edhe të bukura, ai ka vendosur ti ndaj me të gjithë ndjekësit e tij në këtë intervistë për “Radio 7”.

Si ka nisur karriera juaj?

Mund të them që fillimet e para ishin njohuria mbi muzikën dhe mësimi i veglave muzikore si kitara dhe bateria, nëse hyn brenda muzikës bëhesh pjesë e saj dhe nuk mund të dalësh dot pa dhënë atë ç’ka ti je.

Çfarë ju shtyn ju të merreni me muzikë hip hop të krishterë?

Ishte një iniciativë që nuk e mora i vetëm ishin dhe shokët e mi ata që morën këtë iniciativë duke më ftuar edhe mua që të bëhem pjesë e një grupi,por që ishte diçka ndryshe e veçantë sepse kemi të bëjmë me një grup të krishterë .

Nga se jeni frymëzuar të merreni me Hip- Hop, me këtë rrymë muzikore që ndryshe quhet muzika e rrugës?

Hip-hopi është një rrymë që i pëlqen çdo të riu, për disa kjo rrymë është mënyrë jetese dhe nëpërmjet rimave dhe vargjeve shprehin atë çka ata jetojnë, por ndryshe nga teoria hip-hopi përveç faktit që mund të përcjelle jetën e një personi atë ç’ka ai përjeton,atë çfarë ai bën mund të përcjellë dhe dashuri,këshilla e plot objektiva të tjera..

Përgjegjësi apo kënaqësi të këndoni këngë të krishtera?

Sa kënaqësi ashtu edhe përgjegjësi, është një kënaqësi e veçantë të këndosh,të shprehësh atë çka ti përjeton,por të këndosh kënge të krishtera është përgjegjësi,së pari është një përgjëgjësi sepse ti përfaqëson një komunitet dhe jo më  veten , së dyti duhet të jesh korrekt në atë çka ti thua duke mos krijuar konfuzione tek njerëzit,janë një sërë gjërash që e bëjnë përgjegjësi por nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të këndosh bashkë me përgjegjësinë…

Ju jeni pjesëtarë I një kishe Ungjillore . Si u bëtë pjesë e këtij komuniteti?

Dua të theksoj faktin që jam një besimtar i krishterë kjo jo sepse më dallon por sepse nuk është fetarizëm të besosh. Besimi është diçka personale që çdo person thellë në vetvete e ka. Që i vogël jam bërë pjesë e këtij komuniteti,pjesë e kishës Ungjillore jo sepse më imponuan por sepse kuptova që nuk ka gjë më të bukur se sa të jetosh ç’do ditë me Perëndinë.

Si fillim ju keni pjesë e një grupi muzikor të krishterë me emrin Emanuel Boys. Si lindi ideja e një grupi?

Siç e  theksova edhe më lart ideja e këtij grupi lindi si iniciative e shokëve të mi që aktuale janë pjesë e grupit dhe më ftuan të jem dhe unë pjesë e tij gjithashtu, në fillim ishte një iniciative por me pas u bë pjesë e gjithsecilit prej nesh. Unë ende jam pjesë e grupit dhe grupi po vazhdon duke bërë gjëra të mëdha.

 A vazhdon të funksionojë ende grupi Emanuel Boys ?

Grupi patjetër që vazhdon të funksionojë dhe shumë shpejt shpresoj që do të vijë  një  album nga grupi, por tashme ka kaluar ne një funksionim tjetër që shumë  shpejt do të  merret vesh, ne jemi shumë të bekuar së bashkë,dhe çdo gjë në  lidhje me muzikën e  vendosim së bashku.

 Është e vështirë të ndjekësh rrugën e Krishtit në muzikë?

Nuk është e vështirë për ata që duan të ecin drejtë. Nëse Zoti është në vend të parë,  atëherë  mjafton që të shikosh më tej.

 Tekstet dhe muzikën e shumicës së këngëve tuaja dhe te grupit i keni    realizuar  ju. Çfarë ju inspiron që të krijoni?

Ajo ç’ka më frymëzon më shume është ajo që shoh dhe prek,  sigurisht një nga gjerat që  me frymëzon të krijoj më shumë është Zoti, mjafton të kesh një eksperiencë  personale me të dhe çdo kush do frymëzohet të shkruaj diçka , në rastin tim me vargje.

Krijimtaria juaj është e përbërë me baza teologjike, tekstet e këngëve janë marr nga Bibla. Sa e vështir është që ti ktheni këto vargje në muzikë sepse shumë herë ato nuk përputhen në rimimin e tyre?

Ka nevojë vetëm për kohë në qoftë se  do i kushtosh rëndësi dhe përkushtim cdo gjë mund të arrihet, por ndonjëherë përpiqem që mesazhin e vargjeve ta shpreh me fjalë të tjera për të rimuar, por janë dhe fjalë që dalin nga zemra.

Kënga “Duhet të Ndryshosh”për ç’farë ndryshimi bëhet fjalë ?

Kënga “Duhet të Ndryshosh” është një bashkëpunim me një  rreper tjetër të krishterë i cili është C-Style, të cilin e falenderojë  shumë,në fakt gjithsecili prej nesh vëren tek vetja diçka për të ndryshuar , në këtë rast teksti flet për alkoolin dhe drogën. Të  konsumosh këto dy lëndë tashmë në shoqëri është modë, por nuk mjafton të jesh modern për të qenë i vërtetë, dhe një varg në këtë këngë thotë : “Pse duhet të jemi fals, dhe të mos jemi në realitet” .Ndryshimi mund të vijë nga Zoti nëse ne e kërkojmë Atë.

Shumë nga këngët tuaja prekin jetën sociale, problemet  e ndryshme që ndeshim në shoqërinë si kënga tatuazhi  apo për fenomene të tjera. Pse ju vret ky fenomen saqë ju e i keni kushtuar një këngë?

Jeta sociale është ajo ç’ka përjetojmë të gjithë, problemet janë  ato ç’ka na shoqërojnë në çdo moment, dhe pse jo unë të mos jap  një mesazh që njerëzit të mund ti largojnë problemet e tyre.  Kënga tatuazhi është një prej këngëve të grupit shumë e bukur  dhe e fortë. Me vret fenomeni i papërgjegjësisë sepse ndjej dhembshuri për rininë shqiptare.

Albumi juaj i parë është “Kthehu në jetë”.Si erdhi ky krijim?

Po është e vërtet, albumi kthehu në jetë është një nga projektet e mia të cilin e kam publikuar në vitin 2013. Me këtë projekt kam punuar pothuajse për 1 vit , me ndihmën e shumë pjestarve kam mundur ta realizoj dhe  jam shumë mirënjohës  Zotit për këtë. Ishte një krijim që erdhi si pasojë e një ndryshimi në jetën time, dhe kthehu në jetë është shumë domethënëse për mua!

Titulli I albumit është shumë goditës. Kush duhet te kthehet në jetë sipas jush ?

Ç’fitim do kishim po të fitonim të gjithë botën dhe të humbisnim  jetën tonë?! Të gjithë duhet të kthehemi në jetë, të mendojmë për jetën tonë dhe për Zotin çfarë vendi ka Ai ne jetën tonë…

Këngët e albumit pothuajse janë duet të gjitha me persona të tjerë. Pse kjo zgjedhje apo bashkimi bën fuqinë?

Janë në bashkëpunim sepse ne jemi një grup dhe disa prej cunave janë pjesë e albumit, kurse pjesëtarët e tjerë në këtë album janë bërë pjesë pas ftesës sime duke qen se përshtaten më së miri në këngën ku këndojnë.

Keni ndonjë rreper të preferuar që ndoshta mund të ketë ndikuar pak në stilin tuaj?

Një rreper i preferuar dhe një shembull i mirë për tu ndjekur është Lecrae, një rreper i krishterë Amerikan ku kohët e fundit është në top listën e rreperave më të mirë në Amerikë ku fitoi dhe çmimin “Grammy” për albumin më të mirë.

Si lindi ideja e realizimit të këngës “Krishti u lind? Cili është mesazhi që keni dashur të përcillni?

“Kisha dëshirë që këtë krishtlindje të sillja diçka të veçantë, pasi kisha pak kohë që nuk po kompozoja një këngë të re, dhe vendosa që kënga e re që do të publikoja do të ishte për Krishtlindje dhe do te ishte një mesazh për të gjithë miqtë tanë që ende nuk e kanë njohur dashurinë e Perëndisë. Pasi përfundova këngën, ftova Mirjana Herrin që të bashkohej bashkë me mua në këtë këngë dhe ajo e pranoi ftesën time. Dhe Zoti na bekoi duke sjelle një këngë të bukur ku ne vetë u bekuam dhe mendoj që është pritur mirë pasi shumë njerëz na kanë inkurajuar.”

 Përveç rrymës së muzikës hip- hop ç’farë rryme tjetër të krishterë  dëgjoni?

Pothuajse çdo rrymë, më pëlqen të jem i pranishëm në këngët e krishtera    por  normalisht duke anuar pak nga hip-hopi .

 Ne pjesën e fundit të “CD” tuaj më bëri përshtypje diçka ku shkruhej : “Paratë e grumbulluara nga ky album do te shkojnë në ndihmë për  ndërtimin e kishës ungjillore Emanu-El”. Ne shoqërinë tonë shumë  pak herë ndodh  ky fenomen  pothuajse fare. Pse kjo zgjedhje e juaja?

Bëra këtë zgjedhje sepse e pashë të nevojshme të kontribuoj  në këtë gjë, dhe  secili mund të kontribuoj  me çfarë  mund të ketë, kjo ishte mundësia ime,  dikush  tjetër mund të dhurojë diçka ndryshe.

Një thirrje për të gjithë të rinjtë shqiptarë që duan të ndjekin shembullin tënd?

Ftoni Zotin Jezus në zemrën tuaj. Ky është vendimi me i bukur që mund të merrni ndonjëherë.

 

Ti më ngushëllon

 para se ti te lindje, para teje, UNË JAM.

të kam krijuar me dashuri

dashuri , për ty Unë kam

ti je i lirë, Unë pagova për ty…”

Foshnja u Lind

” la qiellin, mbreterine e madheshtine

erdhi per te shpetuar, popullin qe nuk ju bind

te shpetoje te humburit, e te sjelle gezimin…”