Shumë shpejt do të festojmë Pashkën, e me siguri në ambjentet tona nuk ka për të munguar atmosfera e veçantë që sjell adhurimi. Duam t’ju njohim me disa nga këngët më të reja të Pashkës 2017 si dhe mesazhin e tyre.

Në albumin më të ri të Christ Tomin, ‘Never Lose Sight’ (Kurrë mos harro) do të gjeni një nga këngët e reja të adhurimit të Pashkës 2017, me titull God of Calvary (Perëndi i Kalvarit).

Chris tregon për këngën: “Kjo është kënga që më emocionon më shumë në këtë album. Kalvari ka shumë kuptim; është gjithçka për ne.  Ideja është të mos e harrojmë kurrë këtë fakt. Hapi sytë dhe shiko me të vërtetë, shiko se je i dashur nga Zoti, se ka hir dhe mëshirë në jetën tënde. Arsyeja se pse gjithë kjo ekziston është për shkak të asaj që Jezusi ka bërë, në atë moment të historisë që ka ndryshuar rrjedhën e historisë, në kalvar.”

Një tjetër këngë është pjesë e repertorit të lëvizjes Passion. Kënga është kënduar për herë të parë në konferencën vjetore të lëvizjes Passion në ditët e para të vitit 2017, dhe më pas ato janë prezantuar në albumin e publikuar në muajin Shkurt.

Kristian Stanfill është shprehur për këngën: “Nuk do ta harroj kurrë momentin kur kam drejtuar adhurimin me këtë këngë në konferencën Passion 2017 dhe shikoja se si e gjithë salla shpërthente. Mendoj se arsyeja për këtë është se kjo është historia jonë, kjo është historia e popullit të Zotit, se ne jemi një popull i zgjedhur, dhe jemi thirrur të dalim nga errësira për në dritën e lavdishme. Kur këndojmë për këtë dhe për faktin që kthehemi sërish në jetë në Jezusin, në të vërtetë  zemrat tona të vdekura vijnë në jetë në Jezusin, sjell shumë gëzim tek njerëzit. Kjo është madhështore, na pëlqen shumë.”

Cody Carnes, bashkëshorti i drejtueses së njohur të adhurimit Keri Jobe, ka publikuar këngën e tij të parë në këtë sezon pashkësh. Ajo mban titullin “The Cross Has The Final Word”, (Kryqi Ka Fjalën e Fundit) dhe për sa i përket historisë dhe se si u frymëzua për këtë këngë Carnes tregon:

“Fillova ta shkruaja këtë kënge të premten përpara pashkës, vitin e kaluar. Isha në shtëpi duke reflektuar mbi kryqin  dhe duke i kërkuar Perëndisë të më tregonte shpresën në mes të një bote të errët dhe të mbushur me frikë. Unë ndjeva se Ai më foli këtë fjali “Kryqi Ka Fjalën E Fundit”, dhe kjo menjëherë më kujtoi që Ai është gjithmonë nën kontroll, që Ai e di fundin që nga fillimi dhe se errësira dhe frika e humbën fuqinë e tyre në kryq. Unë lutem që kjo këngë të mbjellë besim në zemrën tënde ndërsa e shpall në situata të ndryshme në të cilat mund të gjendesh. Unë mendoj se shumë herë një situatë e pamundur është një mundësi për mrekullinë e Perëndisë” 

Këngëtarja e mirënjohur Keri Jobe, ka publikuar këtë vit albumin e saj të fundit “The Garden”. Pjesë e këtij albumi është edhe një këngë me subjekt pashkën. “Oh The Power” (Oh Fuqia). Kjo është një këngë që ka në qendër të saj sakrificën e pranimit të kryqit prej Jezusit. Një sakrificë deri në vdekje por që u finalizua me ringjalljen dhe kjo është arsyeja përse e festojmë pashkën. Jobe, ka shtuar për këngën: “Jezusi u gjunjëzua në tokën që e krijoi vetë dhe shihte vdekjen që vinte drejt tij dhe përsëri zgjodhi kryqin. Sepse e dinte se kjo do të thyente ndarjen që ishte krijuar ndërmjet nesh dhe Perëndisë. Gjatë gjithë kohës, Ai ka qenë duke menduar për ne, ka qenë duke menduar marrëdhënien që do të rifitohej ndërmjet Tij dhe njerëzve. Ndjej se kam shkruar një këngë dashurie për Jezusin, për të treguar historinë se çfarë Ai bëri për ne, në një mënyrë tjetër. Doja ta nderoja për atë sakrificë të bukur. Nuk do ta kuptoj kurrë sakrificën e Jezusit, por jam shumë falënderuese për atë që ka bërë. Gjunjëzimi në tokën që krijoi, pranimi i kryqit vetëm që të rifitojnë marrëdhënien me ne janë të mrekullueshme.”

“What A Beautiful Name” (Ç’emër i Bukur), është një këngë nga Hillsong Worship, në shumë versione. Si shumë këngë të tjera të tyre ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm duke qenë një këngë që adhuron drejtpërdrejt Perëndinë. Brooke Fraser është shprehur për këtë këngë: “Arritja dhe ndikimi i “What A Beautiful Name” na ka inkurajuar dhe përulur vërtet. Ne kërkojmë që të sjellim këngë që lidhin sinqerisht zemrat e besimtarëve me zemrën e Perëndisë përmes adhurimit, dhe lidhja që kjo këngë duket se ka bërë është vetëm prej hirit të Perëndisë. Me publikimin e “What A Beautiful Name” ne shpresojmë që të gjitha kishat të zbulojnë një version që iu flet atyre në mënyrë unike, në kontekstin e tyre dhe që mund ta këndojnë pavarësisht nëse kanë apo jo një grup adhurimi, një DJ apo thjesht një kitarë akustike.”

Your Love Awakens Me (Dashuria jote më zgjon) është një këngë që feston dashurinë mahnitëse të Jezusit, që të jep jetë e që nuk dështon. Phil Wickham tregon: “Një nga pasazhet e mi të preferuar është Efesianëve 2, ku thuhet, ‘Por Perëndia që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së madhe me të cilën na deshi, dhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit). Dhe kjo është historia jonë, ne ishim të vdekur por për shkak të asaj që Perëndia bëri jemi në jetë. Ishim të humbur por jemi të gjetur për shkak të dashurisë së tij.

Kjo këngë na fton që së bashku të këndojmë këtë të vërtetë të jashtëzakonshme, se dashuria e Perëndisë është më e madhe se mëkati ynë, më e fortë se varri, dhe na zgjon që ta jetojmë jetën me qëllim dhe pasion.

“Your Cross Changes Everything” (Kryqi Yt Ndryshon Gjithçka), është një bashkëpunim i grupit Passion dhe Matt Redman. Kënga është pjesë e albumit të Passion, “Worthy Of Your Name”, i cili është regjistruar live përpara 55 000 studentëve.

Kënga nga vet titulli i saj tregon se si ne shohim thjesht një kryq prej druri po ai në fakt përfaqëson gjithë hirin e Perëndisë. Për më tepër shumë e shohin këtë sakrificë si një e shkuar që i përket vetëm historisë por ne shohim një kryq që ndryshon gjithshka, një dashuri që çliron robërit, një shpresë që na ka ringjallur dhe fuqinë e Perëndisë. Fokusi i Pashkës është kryqi dhe me këtë këngë të dy bashkëpunëtorët sjellin pasqyrimin e sakrificës dhe dashurisë që mbart ai.

I papërfunduar
Edhe sikur

Comments.

Currently there are no comments related to this article. You have a special honor to be the first commenter. Thanks!

Leave a Reply.

* Your email address will not be published.
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>