10 Strategji për një grup studimi biblik të suksesshëm

Të mësosh Fjalën e Perëndisë është një privilegj i jashtëzakonshëm. Perëndia më ka bekuar me këtë privilegj për më shumë se 15 vjet. Ndonëse është privilegj, mund të përballesh edhe me shumë sfida. Armiku ynë mund të përdorë ndjenjën e të mos qenit të aftë dhe mungesën e vetëvlerësimit për të na penguar të përmbushim këtë detyrë të dhënë nga Perëndia. Gjithsesi, asnjëherë mos harroni se Perëndia që ju ka thirrur në këtë mision të mrekullueshëm do t’ju pajisë për ta përmbushur atë me sukses. Perëndia nuk thërret ata që janë të pajisur, por pajis ata që thërret!

Sot do të doja t’ju sugjeroja 10 hapa për të pasur një grup studimi biblik të suksesshëm. Po supozoj se ju tashmë e dini që kjo është thirrja juaj nga Perëndia, jeni përgatitur dhe keni kaluar kohë në lutje. 10 strategjitë që po ju propozoj më poshtë janë hapa shumë praktikë të cilët mund të vihen në zbatim shumë lehtë, pavarësisht nëse grupi juaj mblidhet në një kishë lokale, në një shtëpi apo në një kafe.

  1. Organizohu mirë! Për shembull, a po planifikoni të servirni pije apo ëmbëlsira? Kush do të merret me këtë gjë çdo javë? Një person nga grupi mund t’ju ndihmojë. Edhe nëse ju vetë keni shumë dhunti në mikpritje, kjo gjë do t’ju lehtësojë shumë, duke ju dhënë më shumë kohë që të përgatiteni për studimin.
  1. Ji e qëndrueshme! Mbajini takimet e grupit në një orar dhe ditë të caktuar! Anëtarët e tjerë të grupit duhet ta dinë që mund të mbështeten tek ti pavarësisht nëse ata vetë e bëjnë këtë gjë apo jo. Ti je drejtuesja e grupit dhe përcakton drejtimin e gjithë të tjerëve. Kur të shohin shembullin tënd edhe ata do të përpiqen më shumë të jenë të qëndrueshëm.
  1. Ji sa më gjithëpërfshirëse që të jetë e mundur! Bëj ç’të jetë e mundur që çdo anëtar i grupit të ndihet i mirëpritur dhe të përfshihet në diskutim! Mos harro, Krishti gjithmonë u mundua të ishte afër njerëzve të Tij. Gjithmonë shiko për anëtarë të tjerë të grupit që mund të të ndihmojnë. Nëse grupi bëhet i madh, atëherë mendo të krijosh një grup të ri, në mënyrë që studimi biblik të vazhdojë.
  1. Krijo një vend të sigurt! Studimi biblik nuk ka për qëllim të japë informacion, por të sjellë transformim në jetën e anëtarëve të grupit. Shpesh ne kemi nevojë të ndajmë eksperienca personale nga jeta jonë, se çfarë po bën Zoti me ne. Dhe kjo gjë është e vështirë nëse anëtarët e tjerë të grupit nuk ndihen se grupi është një vend i sigurt për të ndarë përjetime personale.
  1. Çdo anëtari të grupit duhet t’i jepet mundësia për të folur! Është e zakonshme në grupe studimi biblik që një person të dominojë bisedën. Megjithatë është përgjegjësia juaj si drejtuese t’i jepni çdo anëtari një mundësi të barabartë për të folur. Unë përdor shpesh atë që e kam quajtur rregulli i dy minutave. Askush nuk mund të flasë më shumë sesa dy minuta në grupin tim të studimit. Në këtë mënyrë, çdo anëtari të grupit i jepet mundësia për të folur.
  1. Krijo një atmosferë të mirë për të zhvilluar konfidencialitetin! Asgjë nuk mund ta shkatërrojë më shumë punën e Zotit në një grup studimi sesa thashethemet. Sigurohu që ti si drejtuese të jesh shembull në këtë çështje dhe jo problem duke folur për të tjerët.
  2. Ji inkurajuese! Disa persona dekurajohen lehtë kur fillojnë një studim biblik. Mos harro të inkurajosh anëtarët e tjerë të grupit që të mos dorëzohen, por të këmbëngulin, sepse Perëndia ka premtuar t’ua tregojë misteret e Tij atyre që janë besnikë.
  1. Komuniko me personat që mungojnë në takimin e javës! Nëse një person mungon në takimin e grupit merre në telefon ose bëji një vizitë në shtëpi. Nëse grupi është i madh ose e shikon që është e vështirë ta bësh çdo gjë vetë, mund t’i kërkosh një anëtari tjetër që ta bëjë. Nuk ka pse të bësh vetë çdo gjë. Mjafton që personi që do ta marri këtë përgjegjësi të jetë i dashur dhe i dhembshur.
  1. Asnjëherë mos shërbe vetëm! Gjithmonë shiko për persona të tjerë ku mund të shumëfishosh veten. Pyet veten: “Kush mund të jetë një mësues i mirë? A je duke u kujdesur që ata të rriten si drejtues? A i lejon ata të japin mësim njëherë në tre muaj? A i inkurajon ata që të fillojnë një grup të vogël kur të jenë gati?”.
  1. Asnjëherë mos harro se grupi i studimit biblik nuk është për të përmbushur nevojat e tua! Ndërsa ne zgjedhim t’i shërbejmë Perëndisë do të përballemi me kohë zhgënjimesh dhe do të dekurajohemi. Njerëzit mund të na lënë në baltë apo, akoma më keq, mund të dalin kundër nesh. Mbaji sytë të fokusuar tek Krishti dhe tek thirrja e Tij për jetën tënde! Kjo do të të ndihmojë të kalosh me sukses situatat e vështira të jetës.

 

Marta GreenmanMarta. E. Greenman, për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, ka udhëtuar në vende të ndryshme të botës si ungjilltare dhe mësuese, duke shpallur mesazhin e shpengimit të Perëndisë. Ajo është autore e katër studimeve biblike, dy prej të cilëve (“Kapur pas lirisë” dhe “Udhëheqësit, kombet dhe Perëndia”) janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Në katër vitet e fundit, Marta.E. Greenman ka trajnuar mbi 150 udhëheqëse të kishave lokale në Shqipëri. Ajo ka mësuar në tetë konferenca për gra të organizuara nga Radio 7 në qytete të ndryshme të vendit. Shërbesa e saj “Fjalët e hirit & e vërteta” është një shërbesë që ka për qëllimin e saj të vetëm t’u mësojë Fjalën e Perëndisë kombeve dhe t’u mësojë të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Marta jeton në Teksas të SHBA-së së bashku me bashkëshortin e saj Marshall. Nëse keni pyetje për Marta Greenman mund ti dërgoni në adresën [email protected].

 Nga Marta. E. Greenman

Ndani përshtypjet tuaja me ne

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
Rreth Marta Greenman


Free!

REGJISTROHUNI